Shkup, 12 qershor – Në mbledhjen e sotme të rregullt të Këshillit të Komunës së Çairit, u miratua propozimi për ndarjen e titullit “Qytetar Nderi” për dy personalitete me kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe në përfaqësimin e tyre në arenën ndërkombëtare – z. Joseph John DioGuardi dhe znj. Shirley Cloyes DioGuardi, transmeton Zhurnal.
Me këtë vendim, Komuna e Çairit nderon një figurë historike si Joseph DioGuardi – shqiptaro-amerikani i parë në Kongresin e SHBA-së dhe një mbështetës i pandërprerë i çështjes shqiptare – si dhe bashkëshorten e tij, Shirley Cloyes DioGuardi, një zë i fuqishëm i të drejtave të njeriut dhe mbrojtëse e të vërtetës sonë në forumet më të larta ndërkombëtare.
“Sot, në seancën e rregullt të Këshillit të Komunës së Çairit, u miratua propozimi për shpalljen “Qytetarë Nderi” të z. Joseph John DioGuardi dhe znj. Shirley Cloyes DioGuardi.
Ky është një vendim me karakter të thellë etik dhe historik, përmes të cilit Komuna jonë nderon dy figura të shquara që kanë kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe në përfaqësimin e denjë të kauzës sonë në skenën ndërkombëtare.
Joseph DioGuardi, si shqiptaro-amerikani i parë në Kongresin amerikan, dhe Shirley Cloyes DioGuardi, si aktiviste e zëshme për të drejtat e njeriut, kanë qenë për dekada zë i fuqishëm dhe mbështetje e palëkundur për çështjen shqiptare në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë hapësirën etnike. Ata kanë dëshmuar me vepra, jo me fjalë, se miqësia me popullin shqiptar është pjesë e bindjeve të tyre të thella për drejtësi dhe barazi mes kombeve.
Shpallja e tyre si “Qytetarë Nderi” është një nder për ta, por edhe për Komunën tonë, e cila dëshmon kështu se di të vlerësojë dhe të ruajë kujtesën institucionale për ata që kanë kontribuar me sinqeritet dhe përkushtim në mbrojtje të dinjitetit tonë kolektiv.
Ceremonia solemne e dorëzimit të titullit do të mbahet më 14 qershor 2025, në Hotel Holiday Inn, Shkup, me praninë e përfaqësuesve institucionalë, trupit diplomatik dhe qytetarëve., thuhet në njoftimin, transmeton Zhurnal.mk