Berisha në Asamblenë e OSBE: 45% e popullatës në Shqipëri është larguar në 10 vjet

nga D. V.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po merr pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE, që zhvillohet në Porto të Portugalisë.

Në krye të një delegacioni të opozitës, Berisha, në fjalën e mbajtur edhe sot para Asamblesë ka folur për atë që e quajti si “drama e shpopullimit të Shqipërisë dhe të narkorritjes së ekonomisë”.

Berisha u shpreh se, “në kontekstin demografik, Shqipëria ka pasur zhvillimet më dramatike në periudhën 2014–2024”.

Gjatë kësaj kohe, theksoi kreu i PD, “kombi im ka humbur më shumë njerëz sesa çdo komb tjetër, madje edhe nga vendet në luftë, apo në konflikte civile rajonale ose botërore”.

Berisha theksoi se, “45% e shqiptarëve kanë lënë Shqipërinë gjatë këtyre 10 viteve”.

“OKB njoftoi disa muaj më parë se Shqipëria është vendi me rënien më të madhe të lindshmërisë në botë, për shkak të emigracionit. Statistikat e vendit tim tregojnë se shkalla e lindshmërisë sot është aty ku ishte para 100 vitesh”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, “arsyeja e një goditjeje kaq shkatërruese demografike është narkodiktatura”.

Ai ritheksoi se, “Shqipëria është narkodiktatura e parë dhe e vetme në Evropë. Dhe fatkeqësisht, ky nuk njihet ende mirë si një fakt”.

“Kushdo që do të shohë ekonominë shqiptare, do të shohë që ajo rritet vit pas viti me 3%. Është një rritje e respektueshme. Por çfarë është kjo rritje? Është narkorritje  sepse prodhimi industrial, në 5 vitet e fundit, ka rënë vit pas viti. Po ashtu edhe prodhimi bujqësor, apo sektorë të tjerë”, tha Berisha.

Por, shtoi ai, “ka një sektor që mban normën më të lartë të rritjes në Evropë, që është ndërtimi. Nëse shihni Eurostat, do të gjeni që indeksi i ndërtimit në Tiranë është tre herë më i lartë se mesatarja e indeksit të ndërtimit në BE. Këto janë ndërtime të narkotrafikut. Të gjitha këto kulla janë monumente të drogës dhe korrupsionit”, tha Berisha.

Pra, vijoi kreu i PD, “viktima tjetër janë zgjedhjet për të cilat fola në mëngjes.  Këta janë faktorët që po shkatërrojnë kombin tim, si narkodiktatura e parë dhe e vetme në Evropë”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More