PL: Fermerët të përjashtuar nga fondet mbështetëse, kredia sovrane mashtrim i qeverisë

nga D. V.

Partia e Lirisë ngriti sot shqetësimin për mungesën e financimeve nga qeveria në sektorin e bujqësisë.

Në një deklaratë për mediet, zëvendëssekretarja e përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu theksoi se fermerët dhe prodhuesit e vegjël, po goditen duke u vendosur detyrime “për certifikime të kushtueshme, për fiskalizim dhe për burokraci të papërballueshme, pa ofruar asnjë ndihmë financiare”.

Sipas Haxhiut, fermerëve u kërkohet modernizim, të investojnë dhe të dalin në treg, por në të njëjtën kohë qeveria i ka përjashtuar nga çdo fond mbështetës.

Haxhiu tha se qeveria duhet të jepte një përgjigje për bllokimin e fondeve të IPARD, teksa shtoi se qeveria “zgjodhi të mashtrojë fermerët me premtime boshe, me skema të ashtuquajtura “kredi sovrane”, të cilat as nuk ekzistojnë në praktikë, as nuk janë ndihmë reale për bujqësinë, por thjesht propagandë”.

Haxhiu tha se bujqësia shqiptare po shkon drejt kolapsit total.

“Shqipëria është sot vendi me buxhetin më të ulët në Evropë për bujqësinë. Në të njëjtën kohë, fermerët shqiptarë paguajnë TVSH-në më të lartë në kontinent për prodhimet e tyre. Kjo është një politikë e qëllimshme e shkatërrimit të fshatit dhe prodhimit vendas, që i shërben vetëm interesave të importuesve të mëdhenj dhe oligarkëve të lidhur me pushtetin”, tha Haxhiu.

Haxhiu theksoi se Partia e Lirisë e ka zhvillimin e bujqësisë dhe mbështetjen e fermerit prioritet kryesor të saj.

“Mbështetja për fermerin është më shumë se një politikë ekonomike, është një strategji kombëtare për mbijetesën dhe forcimin e Shqipërisë. Një vend që nuk siguron ushqimin e vet, është i varur nga importet dhe i ekspozuar ndaj krizave globale, çmimeve të larta dhe presioneve të huaja. Investimi në bujqësi do të thotë rritje ekonomike, vende pune në fshat, stabilitet social dhe forcim i sovranitetit ekonomik”, u shpreh Haxhiu.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More