Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë “mospërputhje” mbi mënyrën se si t’i përgjigjen krizës në Gaza, por ndajnë një qëllim të përbashkët për t’i dhënë fund luftës, gjatë takimit sot me ministrin e Jashtëm britanik, David Lammy, për çështjet e Lindjes së Mesme dhe të Ukrainës.
Vance konfirmoi se Uashingtoni nuk ka “asnjë plan” për të njohur Palestinën, të cilën Britania e Madhe ka premtuar ta njohë nëse Izraeli nuk pranon një armëpushim.
Ai lavdëroi “mikun e tij të mirë” Lammy dhe tha se Britania e Madhe dhe SHBA-ja duhet të punojnë bashkë për të “sjellë më shumë paqe” në botë, pasi “kanë shumë gjëra të përbashkëta”.
Megjithatë, Vance u shpreh qartë se ekzistojnë dallime në qëndrimet mes dy qeverive mbi mënyrën e trajtimit të luftës dhe krizës humanitare në Gaza.
I pyetur nga gazetarët mbi planet britanike për të njohur Palestinën, ai tha se “qartësisht, Britania e Madhe do të marrë vendimin e vet. Ne nuk kemi plane për të njohur shtetin palestinez. Nuk e di se çfarë do të thotë realisht ta njohësh një shtet palestinez duke pasur parasysh mungesën e një qeverie funksionale atje”.
Ai shtoi se të dy palët duan ta “zgjidhin problemin” e Gazës, por “mund të kenë disa mospërputhje mbi mënyrën e realizimit të atij qëllimi Është një situatë e vështirë dhe nuk mund të dimë saktësisht si ta zgjidhim një problem kaq kompleks”.