Qeveria serbe ia përfundon mandatin Igor Popoviqit

nga L. M

Qeveria e Serbisë ka bërë të ditur se ia ka përfunduar mandatin Igor Popoviqit, i cili mbante pozitën e ndihmësdrejtorit të të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovën”. Vendimi duket se është i vlefshëm prej 13 gushtit, por aty nuk janë ofruar më shumë arsyetime.

 

Popoviq ishte i angazhuar në sektorin për mbrojtje juridike në të ashtuquajturën “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë.

Ky vendim është marrë disa ditë pasi ai e ka pranuar fajësinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Dënimi prej gjashtë muajsh burgim, i marrë më 8 gusht, i është zëvendësuar me gjobë prej 3.000 eurosh, dhe ndalim të hyrjes në Kosovë për dy vjet.

Ndonëse ai e ka pranuar fajësinë në gjykatë duke thënë se nuk i është ushtruar presion, Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka thënë të nesërmen se Popoviq e ka nënshkruar marrëveshjen me prokurorët në Kosovë “nën presion dhe pa vullnetin e tij”.

Autoritetet e Kosovës e kanë hedhur poshtë këtë pretendim.

Ai është ndaluar nga autoritetet e Kosovës më 18 korrik, pas një fjalimi që ka mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit, përgjatë së cilit e ka përshkruar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste”.

Zyrtarët në Kosovë kanë thënë se nuk do të tolerojnë që të fyhet dhe përdhoset historia dhe lufta e udhëhequr nga UÇK-ja.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More