Pas 58 përpjekjesh, Kuvendi i Kosovës arriti të zgjedhë kryetarin dhe disa nënkryetarë, por procesi i konstituimit mbetet i paplotë për shkak të mos-zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.
Deputetët votuan për kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, i cili mori 73 vota, 30 votuan kundër dhe tetë abstenuan. Katër nënkryetarët nga tri partitë më të mëdha shqiptare – Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala – u votuan me shumicë të qartë.
Nga komunitetet joshumicë, u zgjodh nënkryetarja Emilia Rexhepi me 73 vota pro, 1 kundër dhe 23 abstenime.
Problemet nisën me kandidaturën nga Lista Serbe. Subjekti tentoi tre herë të zgjedhë Slavko Simiqin për nënkryetar, por kandidati nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme.
Kurse, deputeti Igor Simiq insistoi në propozimin e katërt për nënkryetar, por kryetari Dimal Basha ia ndali mikrofonin sipas rregullores së Kuvendit. Tentativa për të zgjedhur Nenad Rashiq nga Partia e Pavarur Liberale gjithashtu dështoi, pasi ai mori vetëm 55 vota pro, një kundër dhe 17 abstenime, ndërkohë që deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim.
Rugova: Nuk shoh barriera kushtetuese që Rashiq të zgjidhet nënkryetar
Njohësi i politikë, Naser Rugova, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se dje u bë një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së bllokadës institucionale.
Ai thotë se Kuvendi pritet të funksionalizohet në seancën e ardhshme, me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë, qoftë edhe Rashiq.
“Dje u bë një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së bllokadës së paprecedent të institucioneve të vendit tonë. Kuvendi ende nuk është konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë. Kam optimizëm se në seancën e ardhshme kjo nyje do të zgjidhet dhe Kuvendi do të funksionalizohet, qoftë edhe me zgjedhjen e Rashiq në këtë pozitën e nënkryetarit. Kur konsumohen propozimet tjera nuk shoh barriera kushtetuese që Rashiq të zgjidhet nënkryetar dhe të përmbyllet konstituimit i Kuvendit” – thotë ai.
Krasniqi: Ngërçi i Konstituimit të Kuvendit të Kosovës – midis kompromisit dhe kalkulimeve politike
Profesori universitar, Kolë Krasniqi, ka bërë një analizë të asaj se çfarë ka ndodhur në Kuvend.
Në një prononcim për “Bota sot” ai ka thënë se zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar dhe e katër nënkryetarëve shqiptarë dhe joshumicë nuk mbylli procesin, pasi Lista Serbe ngeci me kandidaturën e Sllavko Simiqit dhe nuk paraqiti alternativa.
“Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka shënuar një hap të rëndësishëm me zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar dhe me emërimin e katër nënkryetarëve nga partitë kryesore shqiptare dhe komunitetet jo shumicë jo serbe. Megjithatë, institucioni më i lartë ligjvënës i vendit mbetet i pakonstituar, pasi zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb ka ngecur në një ngërç politik e institucional.
Lista Serbe dhe mungesa e alternativave
Lista Serbe, e cila zotëron shumicën dërrmuese të ulëseve të komunitetit serb në Kuvend, këmbënguli në kandidaturën e Sllavko Simiqit. Megjithëse ky kandidat nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme në tri tentime, subjekti nuk paraqiti emra alternativë, duke shkaktuar stagnimin e procesit. Vendimi i Kryetarit të Kuvendit për ta kaluar çështjen në short solli disa kandidatura të reja, përfshirë edhe deputetin Nenad Rashiq. Ky i fundit mori një mbështetje më të gjerë krahasuar me kandidatët e Listës Serbe, por jo votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur”, thotë ai.
Rashiq, një figurë jashtë kontrollit të Listës Serbe
Sa i përket propozimit të Rashqiti, profesori thotë se ka ngjallur debat juridik, pasi Kushtetuta i jep të drejtën nominimit vetëm grupit parlamentar serb.
Ai thekson se pavarësisht mbështetjes së votave, Rashiq nuk mund të legjitimohet pa Listën Serbe.
“Propozimi apo vetpropozimi i Rashiqit për pozitën e nënkryetarit te kuvendit, ka hapur debat të gjerë juridik dhe politik. Nje kandidature e tille padyshim se është jolegjitime, pasi Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit ia japin të drejtën e nominimit vetëm grupit parlamentar serb. Ky interpretim lë të kuptohet se, pavarësisht numrit të votave që mund të marrë Rashiqi, ai nuk mund të legjitimohet si përfaqësues i komunitetit serb pa mbështetjen formale të Listës Serbe.
Opozita dhe kalkulimet e saj
Një element i rëndësishëm në këtë proces është edhe sjellja e partive opozitare. Sipas vlerësimeve, opozita nuk tregoi vullnet e as guxim për ta mbështetur një kandidat alternativ nga komuniteti serb. Për vetëm gjashtë vota më shumë, Rashiq do të ishte zgjedhur nënkryetar, duke e zhbllokuar konstituimin e Kuvendit. Refuzimi i opozitës për të ndërmarrë këtë hap shihet si kalkulim politik që lidhet me balancat e brendshme dhe raportet e saj me pushtetin”, shprehet Krasniqi.
Dimensioni kushtetues dhe ndërkombëtar
Në fund, ai thotë se ngërçi në zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb nuk është vetëm çështje proceduriale, por sfidon parimet e demokracisë konsociacionale dhe garantimin kushtetues të përfaqësimit joshumicë.
Ai paralajmëron se çdo vonesë dobëson Kuvendin, qeverinë e re dhe pozicionin e Kosovës ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke e shndërruar këtë situatë në një test të pjekurisë politike të elitës kosovare.
“Ngërçi aktual nuk është vetëm një problem procedurial, por shtron dilema më të thella për natyrën e demokracisë konsociacionale në Kosovë. Kushtetuta, e ndërtuar mbi parimet e Pakos së Ahtisarit, parashikon përfaqësim të garantuar për komunitetet joshumicë, duke pamundësuar diskriminimin nga shumica. Në këtë kuptim, çdo përpjekje për ta zëvendësuar rolin e Listës Serbe në emërimin e përfaqësuesit të komunitetit serb shihet si cenim i frymës kushtetuese.
Në anën tjetër, ky proces zhvillohet në një kontekst të ndjeshëm politik ndërkombëtar. Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, si dhe draft-Statuti evropian, pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e institucioneve të reja. Ngërçi aktual interpretohet edhe si reflektim i dilemes politike të Kryeministrit Kurti, i cili, sipas analistëve, kërkon ta ndajë përgjegjësinë me opozitën për vonesat në konstituimin e institucioneve.
Perspektiva
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit ishte një sinjal se kompromisi është i mundur kur ekziston vullneti politik. Megjithatë, dështimi në zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb e lë të hapur pyetjen nëse partitë politike do të reflektojnë deri të enjten për ta zhbllokuar situatën. Çdo shtyrje e mëtejshme jo vetëm që paralizon Kuvendin dhe qeverinë e re, por gjithashtu dobëson pozitën e Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtarë, të cilët presin përmbushjen e zotimeve të marra në Bruksel dhe Ohër”, nënvizon Krasniqi.
Në këtë pikë, sipas tij, ngërçi i Kuvendit nuk është më thjesht çështje e një kandidature individuale, por test i pjekurisë politike të elitës së Kosovës për të menaxhuar sfidat e brendshme pa cenuar interesat strategjike të vendit.