Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti sot në Kryesinë e Kuvendit ministrin e Punëve të Jashtme të Qipros, Constantinos Kombos. Në takim ishte e pranishme edhe ambasadorja Luela Hajdaraga.
Gjatë takimit, u diskutua mbi zgjerimin e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve, intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar si edhe vijimin e mbështetjes së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe politike dhe bashkëpunimi parlamentar me Qipron po zgjerohen e intensifikohen, në të gjitha nivelet”, vuri në dukje kryetarja e Kuvendit.
“Presidenca qipriote e Bashkimit Evropian, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, do të jetë një momentum i favorshëm dhe mbështetje e fuqishme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Mbështetja e gjerë popullore është frymëzuese, por edhe një detyrim i madh për Kuvendin, lidershipin e tij dhe konsensusin parlamentar në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në familjen evropiane”, nënvizoi Spiropali.
Ministri Kombos vuri në dukje se politikat e zgjerimit dhe integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të përbëjnë një prioritet të Presidencës qipriote dhe Qiproja do të vijojë të mbështesë fuqimisht përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.