Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, sot ka qenë në protestën që u organizua në Hagë.
Ajo në rrjetin social Facebook ka publikuar një fotografi ku shihet me rroba të UÇK-së ndërsa bën dhe shqiponjën.
Jashari ka shkruar se kërkesa e protestuesve ishte e vërteta dhe drejtësia.
“Nga Drenica në Hagë – kërkesa jonë është e thjeshtë: e vërteta dhe drejtësia.”, ka shkruar ajo.
Selimi: Protesta ishte e domosdoshme dhe në vendin e duhur
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Mehmeti Selimi, ka dalur në përkrahje të protestës së sotme në Hagë ndaj padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së atje.
Ajo ka thënë se protesta ishte e domosdoshme dhe në vendin e duhur.
Selimi ka shprehur mirënjohjen për protestuesit që sot u bënë bashkë për të kërkuar drejtësi.
“Protestë e domosdoshme dhe në vendin e duhur! Shpreh mirënjohjen time dhe i falënderoj të gjithë qytetarët nga Kosova dhe nga mbarë bota që u bashkuan në Hagë, për të ngritur zërin kundër padrejtësive që po ndodhin në Hagë”, ka shkruar Selimi në Facebook.
OVL-UÇK falënderon qytetarët që morën pjesë në protestë në Hagë: Mesazhi ishte i qartë, jo në emrin tim
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka falënderuar pjesëmarrësit në protestën e sotme në Hagë, ku u kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim.
OVL-UÇK tha se mesazhi që doli nga protesta e sotme ishte “i qartë”.
“Falënderim i veçantë për mërgimtarët, luftëtarët, qytetarët dhe mediat që morën pjesë në protestën e sotme të organizuar nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së. Mesazhi ynë i përbashkët ishte i qartë: Jo në emrin tim!”, thuhet në një postim të OVL-UÇK-së në Facebook.
Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, tha në protestë se “bota demokratike nuk duhet t’i mbyllë sytë karshi padrejtësive kaq të mëdha”.
“U bëjmë thirrje ndërkombëtarëve që të mos ndëshkohet Kosova për lirinë e saj. Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Këtu jemi për të thënë se nuk do të lejojmë të nëpërkëmbët sakrifica e Kosovës”, tha ai.
Protestuesit rigrupohen para Gjykatës Speciale
Protesta e planifikuar fillimisht pranë muzeut Madurodam, afër Gjykatës Speciale në Hagë, ka përfunduar, por protestuesit janë rigrupuar sërish para ndërtesës ku po mbahen në paraburgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ekipi i RTV21 nga Haga raporton se protestuesit nuk u lejuan nga Policia t’i vendosin pankartat para Gjykatës Speciale.
Autoritetet holandeze kanë shtuar praninë e forcave të sigurisë kështu duke shpërndarë protestuesit.

Protestuesit kanë brohoritur emrat e ish-drejtuesve të UÇK-së, duke kërkuar lirimin e tyre dhe drejtësi për sakrificën e bërë për lirinë e Kosovës./21Media
Përfundon protesta në Hagë, u kërkua drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
Ka përfunduar protesta kundrejt pakënaqësive në gjykimin special në Hagë, ku pjesëmarrës ishin qindra mijëra shqiptarë nga anë e kënd bota.
Në këtë protestë paqësore u bë thirrje që të ndalen padrejtësitë në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftëtarëve të tjerë
Ish-ambasadori holandez: I kam thënë Thaçit do të lirohesh, s’ka prova
Ish-ambasadori holandez në Kosovë Robert Bosch, i është drejtuar pjesëmarrësve në protestën kundër padrejtësive ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Bosch kujtoi kohën kur shërbeu në Kosovë, pikërisht edhe kur u formua Gjykata Speciale.
Ai foli rreth një bisede që pati asokohe me ish-kryeministrin Hashim Thaçi.
Bosch i kujtohet t’i ketë thënë Thaçit se nuk duhet të jetë i shqetësuar.
“Sepse unë i thashë se nëse do të jetë një gjykatë e drejtë t’i do të lirohesh, për shkak se nuk ka prova”, deklaroi Bosch para protestuesve.
Gucati nga Haga: Evropa të mos lejojë që drejtësia të shndërrohet në instrument politik
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se po flasin për drejtësinë që i është mohuar luftës së shenjtë të UÇK-së.
Ka deklaruar se liria nuk erdhi si dhuratë, por si rezultat i sakrificës dhe gjakut të vajzave dhe djemve të rinj.
Gucati ka thënë se Evropa nuk duhet të lejojë që drejtësia të shndërrohet në instrument politik.
“Bota demokratike nuk duhet t’i mbyllë sytë karshi padrejtësive kaq të mëdha. U bëjmë thirrje ndërkombëtarëve që të mos ndëshkohet Kosova për lirinë e saj. Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Këtu jemi për të thënë se nuk do të lejojmë të nëpërkëmbët sakrifica e Kosovës”, ka thënë ai.
Koci: Sot ngrisim zërin kundër padrejtësive, mjaft më
Ish-pjesëtari i UÇK-së, dhe bashkorganizator i protestës në Hagë, Fatmir Koci në fjalën e tij tha se qindra mijëra shqiptarë janë mbledhur për të ngritur zërin e tyre ndaj padrejtësive.
Sipas tij, gjykimi në Gjykatën Speciale është i padrejtë dhe i pafalshëm, derisa shton se një gjë e tillë po shkatërron jetën e njerëzve që sakrifikuan gjithçka për liri.
“Sot jemi mbledhur për të ngritur zërin tonë, për të thënë mjaft më me padrejtësi. Po ju pyes para të gjithë Evropës, para gjithë botës, a ishim ne agresori? A e sulmuam ne në tokën e vet? Apo luftuan në shtëpitë tona? A kërkuam territore? Apo kërkuam liri?”, shtroi pyetjet Koci.
Ai thotë se njerëzit e Kosovës nuk ishin agresori, por populli që luftoi për liri.
Nis protesta në Hagë, kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
Ashtu siç është paralajmëruar në orën 14:00 ka nisur protesta në Hagë me intonimin e himnit kombëtar dhe atij shtetror.
Mijëra qytetarë nga Kosova dhe diaspora shqiptare janë mbledhur atje për të protestuar në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Fjalime do të mbajnë: Hysni Gucati nga OVL e UÇK-së, Robert Bosch ish-ambasador i Holanës në Kosovë, Fatmir Koci organizator i protestës dhe Flaka Fazliu vajzë dëshmori./21Media
Me pankarta në duar protestuesit kërkojnë lirimin e ish-eprorëve të UÇK-së
“Drejtësia nuk njeh vonesa”, “Gjyqi tani! Jo më pritje pafund”, “Liria ka emër”, janë disa nga pankartat që po mbajnë në duar protestuesit shqiptarë në Hagë. Shumë të tjera porosi janë në gjuhën angleze, në të cilat po bëhet thirrje për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Me mijëra shqiptarë nga e gjithë bota kanë filluar të mblidhen në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale ku është caktuar lokacioni për mbajtjen e protestës.

Numër i madh i protestuesve në Hagë, thërrasin njëzëri “UÇK”
Shqiptarë nga e gjithë bota po bëhen bashkë për të protestuar sot në Hagë. Nga pamjet që ka dërguar ekipi i RTV21 shihen sheshet dhe rrugët plotë me njerëz dhe vetura duke u mbledhur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Nga pamjet që ka dërguar ekipi i RTV21 i cila po përcjell protestën atje, shihet një numër madh i protestuesve në parkun afër muzeut Madurodam në Hagë, që thërrasin njëzëri “UÇK”.
Me flamujt kuq e zi dhe të UÇK-së, pankarta dhe këngë patriotike, protestuesit po kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

Fjalime do të mbajnë: Hysni Gucati-OVL e UÇK-së, Robert Bosh ish-ambasador i Holanës në Kosovë, Fatmir Koci organizator i protestës.
Aty shihen edhe forca të shtuara të sigurisë të autoriteteve holandeze, ku po ashtu janë vendosur edhe bllokada nëpër rrugët ku do të kalojnë protestuesit.