Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka analizuar raportin e fundit të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, i cili parashikon një rritje ekonomike prej 3.8% për Kosovën në vitet 2025 dhe 2026. Sipas raportit, rritja pritet të mbështetet kryesisht nga konsumi i brendshëm dhe aktiviteti investues.
Megjithatë, raporti evidenton disa sfida që mund të ndikojnë në realizimin e këtyre projeksioneve:
Pasiguria ekonomike globale, sidomos për shkak të zhvillimeve në politikat e tregtisë ndërkombëtare, e cila mund të ndikojë negativisht në besimin e biznesit dhe konsumatorëve.
Vonesat në formimin e qeverisë së re, që mund të ngadalësojnë investimet dhe zbatimin e reformave strukturore të domosdoshme për zhvillim të qëndrueshëm.
Ngadalësimi i mundshëm i aktivitetit ekonomik në Bashkimin Evropian dhe rritja e pasigurisë tregtare, që mund të kenë efekte të drejtpërdrejta mbi ekonominë e Kosovës, veçanërisht në sektorin e eksporteve dhe investimeve të huaja.
Raporti i Bankës Botërore thekson rëndësinë e përshpejtimit të reformave strukturore, forcimit të institucioneve dhe krijimit të një mjedisi të qëndrueshëm ekonomik, që do të mundësonte rritje më të lartë dhe më të qëndrueshme afatgjatë për vendin.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) vlerëson se parashikimi i rritjes prej 3.8% është i dobishëm si referencë, por mbetet i pamjaftueshëm për të adresuar nevojat ekonomike të vendit, përfshirë krijimin e vendeve të punës, rritjen e konkurrueshmërisë dhe mbështetjen e sektorit privat.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni për muajin gusht 2025 ishte 4.5% më i lartë krahasuar me gushtin e vitit 2024, duke shtuar presionin mbi konsumatorët dhe bizneset dhe duke vënë në pah nevojën për politika fiskale dhe monetare të kujdesshme.
LBK thekson se veprimet e shpejta dhe të koordinuara nga institucionet publike janë të nevojshme për të adresuar vonesat institucionale, pasiguritë globale dhe sfidat e ekonomisë rajonale. Përmes mbështetjes së sektorit privat, promovimit të investimeve dhe përshpejtimit të reformave strukturore, Kosova mund të arrijë një rritje mbi mesataren rajonale dhe të sigurojë zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm