Bardhi: Mazhoranca nuk dëshiron debat parlamentar

nga D. V.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha sot se rrëzimi i kërkesës së PD-së për “mocion me debat mbi prioritetet e shpallura të qeverisë në programin politik të saj, si dhe ndërhyrjen e krimit të organizuar në jetën publike të vendit, tregoi se mazhoranca nuk dëshiron debat parlamentar”.

“Edhe pse kërkesa e opozitës është në përputhje me Rregulloren, mazhoranca doli zbuluar se nuk dëshiron debat parlamentar. Sot u rrëzua edhe alibia se opozita nuk dëshironte debat, se prishi seancën, sepse vota e sotme dëshmoi qartë se kush janë ata që i ikin debatit parlamentar, kush e do Kuvendin e Shqipërisë që të jetë memec”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, qeveria i shmanget debatit se “nuk ka as prioritete, as program dhe as arritje për të cilat duhet të vijnë dhe t’i bëjnë transparencë qytetarëve shqiptarë”.

Bardhi tha se mazhoranca kërkon ta kthejë Shqipërinë nga republikë parlamentare në republikë kryeministrore.

Kreu i grupit të PD-së, theksoi se “kërkesa ishte e qartë, konkrete dhe lidhet me një çështje që qytetarët shqiptarë meritojnë: transparencë”.

Më tej Bardhi nënvizoi se opozita “do të shfrytëzojë çdo mekanizëm parlamentar për të realizuar debatin e munguar dhe të mohuar sa i takon prioriteteve dhe programit qeverisës të paraqitur në Kuvend, por edhe për integritetin e anëtarëve të rinj të kabinetit qeveritar”.

Duke iu referuar diskutimit gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Bardhi tha se kreu i grupit të PS-së Taulant Balla “ndryshoi tri herë qëndrimin gjatë mbledhjes, një herë dha mirëkuptimin pastaj u tërhoq nga qëndrimi që mbajti”.

Kreu i grupit të PD u ndal edhe te rrëzimi i mocioni me debat ,me qëllim final miratimin e një rezolute për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë.

“Duam t’i bëjmë thirrje Kuvendit që të miratojë një rezolutë që do të dënonte gjenocidin serb në Kosovë. Grupi i PD-së ka paraqitur kërkesën për mocion dhe finalizimin me një rezolutë ku Kuvendi i Shqipërisë dënon gjenocidin serb në Kosovë. E kemi ridërguar prej katër vitesh.

Kjo kërkesë sot është refuzuar, dhe pyetja që kam për grupin e PS-së: Pse refuzon Shqipëria t’i bashkohet Kosovës në dënimin e gjenocidit serb që Serbia ka kryer në Kosovë? Nuk heqim dorë, do të përdorim çdo mekanizëm parlamentar për ta çuar para këtë kërkesë të drejtë. Ne do duhet të jemi në krah të popullit të Kosovës”, tha Bardhi.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More