Shkup, 1 tetor – Parandalimi i hershëm i kancerit të gjirit është moment kyç – dhe pikërisht këtu Maqedonia dështon. Sipas të dhënave të shoqatës Hema Onko, mbi 70% e pacienteve me kancer të gjirit i kryejnë kontrollet në klinika private, për shkak të pritjeve shumë të gjata për termine në spitalet shtetërore.
Në kuadër të aktiviteteve për muajin tetor, i cili i kushtohet ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, Hema Onko iu bashkua fushatave sensibilizuese për këtë sëmundje malinje.
Gjatë një aktiviteti publik, pacientet u përshëndetën dhe u inkurajuan nga një kalimtar i rastësishëm, i cili shprehu mbështetje për punën e shoqatës që fokusohet tek pacientët onkologjikë.
Nga Hema Onko njoftojnë se kanë marrë premtime nga Ministria e Shëndetësisë për krijimin e një Regjistri Kombëtar të pacientëve onkologjikë, i cili do të ndihmojë në menaxhimin dhe planifikimin më të mirë të trajtimit.
Tetor është muaji ndërkombëtar i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, me qëllim rritjen e vëmendjes, mbështetjes, diagnostikimit të hershëm, trajtimit dhe kujdesit paliativ për këtë sëmundje.