Në qytetin bregdetar të Vlorës u zhvillua një nga ngjarjet sportive më të rëndësishme të vitit, Maratona e Vlorës.
Me moton “Vrapojmë për Pavarësinë”, Maratona e Vlorës bëri bashkë rreth 400 vrapues nga Shqipëria dhe e gjithë bota.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga energjia e maratonës që përmbylli festimet e Pavarësisë në Vlorë.
Pavarësisht reshjeve të shiut, maratona e kthyer tashmë në traditë në çdo fund nëntori në qytetin bregdetar, u zhvillua në 3 gara, 5, 10 dhe 21 kilometra.
Fitues i edicionit të 5-të të Maratonës së Vlorës në garën e 21 kilometrave ishte ukrainasi Bogdan Simonoviç.
Eventi, i organizuar në kuadër të festimeve të Nëntorit nga Bashkia Vlorë u përshëndet nga kryetarja e bashkisë Brunilda Mersini dhe presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, të cilët vlerësuan pjesëmarrjen e gjerë dhe rëndësinë që ka ky aktivitet sportiv për promovimin e qytetit.