Me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, George Gerapetritis, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Athinë, në dy ditët e ardhshme, 16 dhe 17 dhjetor.
Vizita e ministres Spiropali do të nisë në Presidencën greke, ku do të pritet nga Presidenti i Republikës, Konstantinos Tasoulas, në orën 12:00.
Në orën 12:45, Spiropali do të ketë një takim dypalësh me homologun e saj Gerapetritis, të fokusuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.
Ministrja Spiropali do të nënvijëzojë rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Greqisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe për të avancuar idenë e një hapësire të përbashkët europiane në rajonin tonë, ku vendet e Ballkanit Perëndimor të trajtohen si një tërësi strategjike.
Ministrat do të diskutojnë çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve me frymën e mirëkuptimit mes palëve.
Pas takimit, ministrat do të mbajnë një deklaratë të përbashkët për shtyp rreth orës 14:30.
Në qendër të bisedimeve do të jetë edhe komuniteti shqiptar në Greqi, si dhe nevoja për përshpejtimin e negociatave drejt nënshkrimit të marrëveshjes së shumëpritur për mbrojtjen sociale, që përfshin njohjen e pensioneve për qytetarët e të dy vendeve.
Në 16:00, ministrja do të zhvillojë një bashkëbisedim me akademikë dhe ekspertë të Fondacionit Helenik për Politikën e Jashtme dhe Europiane (ELIAMEP) me fokus rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Në 19:00, Spiropali do të takohet me komunitetin shqiptar në Greqi, në një pritje të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Athinë.
Mëngjesin e së mërkurës, në orën 09:00, Spiropali do të takohet me ministrin e Mbrojtjes, Niko Dendias.
Në orën 09:45, Spiropali do të takohet me përfaqësues të bizneseve dhe sipërmarrjeve që operojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë, për potencialin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Vizita e ministres do të përmbyllet me një takim me ambasadorët e vendeve të BE, si dhe ambasadorët e akredituar në Shqipëri, me rezidencë në Athinë, rreth orës 12:30, të fokusuar në perspektivën europiane të vendit tonë.