Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot, se opozita nuk do të pranojë zhvillimin e seancave plenare më dyer të mbyllura në lidhje me shqyrtimin e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Gjatë një konference për mediet, Berisha theksoi se nuk mund të fshihet e vërteta për aferat korruptive dhe vjedhjet e qeverisë në emër të sekretit hetimor.
Ai deklaroi se qytetarët janë viktimat reale të këtyre aferave dhe kanë të drejtë të informohen.
“Që ta ketë të qartë çdo shqiptar. Gjer sot ajo dosje ka vetëm një sekret, dhe ai sekret nuk mund të bëhet publik. ë interesin e procesit, asnjë sekret tjetër, asnjë dokument tjetër, asnjë material tjetër. Ka një element dhe parlamentarët e opozitës në interesin më të mirë të procesit, do ta mbajnë, nuk do ta bëjnë publik”, u shpreh kreu i PD-së.
“Vetë prokurorët për shkak të atij sekreti kanë kërkuar që provat të mos i dorëzohen Ballukut dhe jo të mos i jepen deputetëve. Ne nuk pranojmë seancë të mbyllur për vjedhjet. Seanca do të jetë e hapur. Nuk jemi ne si deputet që na kanë vjedhur, janë qytetarët shqiptarë që janë vjedhur prej tyre”, tha Berisha.
Berisha u shpreh gjithashtu se opozita mbështet çdo prokuror dhe gjyqtar që zbaton ligjin dhe vepron me guxim, por akuzoi drejtësinë për standarde të dyfishta, presione politike dhe bllokim të hetimeve të rëndësishme.
Berisha shtoi më tej se opozita ka nisur mobilizimin për protesta kombëtare paqësore kundër qeverisë. Sipas Berishës, qëllimi është largimi i Kryeministrit nga pushteti dhe rikthimi i shtetit ligjor, kushtetutshmërisë dhe demokracisë në Shqipëri.
“Forcat politike të opozitës, të mbledhura sot, vendosën të mobilizojnë të gjithë potencialet e tyre në një betejë vendimtare, në revolta vendimtare. PD dhe opozita kërkojnë shtetin ligjor, kushtetutshmërinë e vendit në Shqipëri. Ndaj dhe iu është drejtuar qytetarëve me bindjen më të madhe se është radha e tyre për të përcaktuar me revoltën e tyre fatin e vet, të familjeve dhe të mbarë vendit”, tha Berisha.