“Ndryshim për sy e faqe” – Ish-sekretari i BDI-së Valmir Aziri “sulmon” kongresin e sotëm

nga Redaksia

Shkup, 20 dhjetor – Ish-sekretari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Valmir Aziri, ka reaguar publikisht pas përfundimit të Kongresit të partisë, duke hedhur kritika të drejtpërdrejta ndaj mënyrës se si u shpallën dhe u prezantuan të ashtuquajturat reforma.

Në reagimin e tij, Aziri thekson se Kongresi u mbyll me “duartrokitje të organizuara”, ndërsa reforma u shpall e përfunduar pa pasur, sipas tij, një proces real analize, llogaridhënieje dhe ballafaqimi me dështimet. Ai vlerëson se anëtarët e prezantuar si “të rinj” nuk janë produkt i një procesi të hapur dhe demokratik, por vazhdimësi e një rrotacioni të brendshëm që po shitet si ndryshim.

“E reja u paketua me fjalë, por përmbajtja mbeti e vjetër”, shkruan Aziri, duke shtuar se reforma nuk u ndërtua mbi përgjegjësi politike, por mbi nevojën për ta ruajtur pushtetin brenda organizatës, duke i dhënë atij vetëm një fytyrë tjetër.

Sipas ish-sekretarit të BDI-së, ndërrimi i emrave dhe pozicioneve nuk prodhon besim te qytetarët, përkundrazi, e thellon dyshimin se bëhet fjalë për ndryshime formale dhe jo thelbësore. Ai shtron pyetjen nëse një proces i tillë mund të rikthejë besimin e humbur.

“Besimi nuk lind nga kongreset e mbyllura dhe as nga fjalori i ricikluar i reformave të shpallura”, thekson Aziri, duke nënvizuar se besimi ndërtohet vetëm përmes llogaridhënies reale, pranimit të gabimeve dhe ndryshimit të vërtetë në mënyrën e të bërit politikë.

Në përfundim, ai vlerëson se pa këto elemente, çdo reformë mbetet vetëm një shfaqje politike, çdo figurë e re vetëm një etiketë dhe çdo kongres një kapitull i radhës i së njëjtës histori të konsumuar.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More