Ali Ahmeti kujton Abdilaqim Ademin: Falë njerëzve si ai, BDI mbetet parti e pathyeshme

nga Xh M

Shkup, 21 dhjetor – Ali Ahmeti kujton ish-sekretarin e përgjithshëm të BDI-së, Abdilaqim Ademi, duke theksuar se kontributi i tij i madh dhe besnikëria ndaj partisë kanë ndihmuar që BDI të mbetet një forcë e fortë dhe e pathyeshme.

Ai lidh ditëlindjen e Ademit me mbajtjen e Kongresit të Pestë të partisë dhe nënvizon se puna dhe përkushtimi i figurave si Ademi janë pjesë e suksesit historik të BDI-së dhe rrugëtimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut drejt dinjitetit, barazisë dhe perspektivës evropiane.

Ahmeti shpreh respekt dhe kujtim personal për Ademin, duke theksuar se kontributi i tij nuk do të harrohet.

Reagimi i plotë:

Dje, në ditën kur organizata jonë politike mbajti Kongresin e Pestë, një ditë kjo e rëndësishme për të ardhmen e Bashkimit Demokratik për Integrim, ishte dita e ditëlindjes së njeriut që dha një kontribut të pashoq në konsolidimin dhe forcimin e partisë sonë, ish-Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi.

I dashur mik, Abdilaqim, dje do të mbushje 56 vite jetë. Jeta jote, pa asnjë dyshim, ishte një jetë e bujshme, e mbushur me angazhim, përkushtim dhe ngjarje të mëdha, gjithmonë besnik ndaj idealeve tona të përbashkëta dhe në shërbim të plotë e pa ekuivoke të BDI-së.

Në ditëlindjen Tënde, partia jote mbajti Kongresin e Pestë dhe vazhdon të mbetet një parti e pathyeshme, pavarësisht goditjeve të paskrupullta nga të gjitha anët. BDI vazhdon rrugëtimin e saj me përgjegjësi historike dhe vizion të qartë për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ditëlindjet e Tua, bashkë me kujtimin për Ty, janë hallka që lidhet natyrshëm me sukseset historike të BDI-së dhe me rrugëtimin e popullit shqiptar drejt dinjitetit, barazisë dhe perspektivës evropiane!

Nuk të harrojnë shokët dhe miqtë, nuk të harrojnë bashkëveprimtarët. Nuk të harroj as unë, miku yt.

Lavdi jetës dhe veprës sate!

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More