“Etika” përjashton me 30 ditë gjashtë deputetë të PD-së

nga D. V.

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për marrjen e masave disiplinore për 29 deputetë të opozitës, pas incidenteve të ndodhura gjatë seancës plenare të 18 dhjetorit.

Pas mbledhjes, Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën vendosi për përjashtimin e gjashtë deputetëve të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Klevis Balliu, Elda Hoti, Flamur Noka dhe Fidel Kreka.

Kryetari i Sekretariatit, Ulsi Manja, në një deklaratë për mediet tha se “në përfundim Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën vendosi që vetëm për 6 deputetë nga ata që u propozuan për masë, të përjashtohen për 30 ditë pune.

Sipas Manjës, këta deputetë “kanë kryer veprime të dhunshme në seancën e datës 28 dhjetor, duke shkulur mikrofonat e seancës plenare, duke ndezur flakadanë dhe duke gjuajtur me sende jo të lejueshme në drejtim të kryetarit të Kuvendit”.

Manja tha se për këta deputetë u vendos që “të përjashtohen më 30 ditë pune nga 60 që u kërkuan”.

Ndaj pjesës tjetër të deputetëve u mor masa, “tërheqje e vëmendjes”.

“Të gjithë deputetët e tjerë për të cilët u propozua të merren masa të përjashtimit nga punimet e  komisionit dhe seancës plenare, Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, vendosi që të mjaftohet vetëm me tërheqjen e vëmendjes për këto deputetë.

“Unë nuk mendoj se dhuna në seancë plenare është zgjidhja, aq më tepër se në seancë plenare kërkohet të zbatohet rregullorja dhe etika, edhe në raport me punonjësit e Gardës së Republikës, të cilët u vunë në  vështirësi në ushtrimin e detyrës së tyre”, u shpreh Manja.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, theksoi se opozita është në misionin e duhur kundër atyre që përfaqësojnë narkoshtetin.

“Ne jemi në misionin e duhur. Mbrëmë me vërshimin e qytetarëve në bulevard kundër narkosit këta kanë marrë një mesazh, ndaj sot janë të shqetësuar. Mbrëmë ishte vetëm një mesazh, ne nuk ndalemi deri sa t’i çmontojmë. Ata që përfaqësojnë në pushtet kartelet ata sot po nuhasin që po u rrëshqet dheu ndër këmbë. Është detyra jonë ta çojmë deri në fund misionin tonë”, tha Noka.

Në mbledhjen e sotme, deputetët e Partisë Demokratike u shfaqën duke protestuar me pankarta në duar.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More