Shkup, 26 dhjetor – Qeveria e Maqedonisë ka shpallur thirrje publike për zgjedhjen e tre anëtarëve të Këshillit për inovacione, zhvillim shkencor-teknologjik dhe sipërmarrësi, të cilët do të përzgjidhen nga radhët e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, përcjell INA.
Mandati i anëtarëve të ardhshëm të Këshillit do të zgjasë dy vjet, me mundësi rizgjedhjeje. Thirrja është shpallur në përputhje me Ligjin për veprimtarinë inovative, zhvillimin shkencor-teknologjik dhe sipërmarrësinë, ndërsa afati i aplikimit përfundon më 3 janar 2026.
Të gjithë kandidatët e interesuar që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij Këshilli mund të aplikojnë nëse janë ekspertë në fushën e inovacioneve, zhvillimit shkencor-teknologjik dhe sipërmarrësisë. Kërkohet që ata të kenë të përfunduar së paku arsimin e lartë (master ose doktoraturë – certifikatat shtesë konsiderohen përparësi), si dhe minimum pesë vjet përvojë pune në fushën përkatëse.
Nga anëtarët e ardhshëm të Këshillit pritet gjithashtu përvojë në menaxhimin e projekteve, ku përparësi do të kenë kandidatët me më shumë se 10 vjet përvojë ose ata që kanë punuar në projekte të mëdha dhe ndërkombëtare. Po ashtu, kandidatët duhet të njohin mirë gjuhën angleze, frënge ose gjermane në nivel së paku B2, si dhe të mos kenë ndalim gjyqësor për ushtrimin e profesionit ose veprimtarisë.
Sa i përket ekspertëve ndërkombëtarë, prej tyre kërkohet përvojë në punë me rajone të ndryshme ose me ekipe ndërkombëtare. Përveç kushteve formale, do të vlerësohen edhe aftësitë komunikuese dhe puna në mjedis multikulturor, rezultatet profesionale të dëshmuara, etika dhe integriteti, aftësia për të punuar nën presion dhe për të zgjidhur probleme komplekse, si dhe gatishmëria për udhëtime, punë në terren ose relokim, nëse projektet e kërkojnë një gjë të tillë.
Anëtarëve të Këshillit u takon kompensim financiar për pjesëmarrje në seanca, lartësia e të cilit përcaktohet nga Qeveria. Të interesuarit që do të aplikojnë duhet të dorëzojnë:
biografi të shkurtër (CV),
letër motivimi,
dëshmi për arsimim, përvojë pune dhe menaxhim projektesh,
certifikatë për njohjen e gjuhës së huaj (B2),
vërtetim se nuk kanë ndalim gjyqësor,
dokumente shtesë për rezultate profesionale, rekomandime dhe mirënjohje.
Dokumentet dorëzohen në Arkivin e Qeverisë, ndërsa afati i aplikimit është deri më 3 janar 2026. Thirrja publike është publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë dhe në Agjencinë për veprimtari inovative.(INA)