Rutte: BE nuk duhet të shkëputet nga SHBA për çështjet e  mbrojtjes

nga D. V.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte nuk beson se Bashkimi Evropian ka nevojë të bëhet plotësisht i pavarur nga Shtetet e Bashkuara në çështjet e mbrojtjes, pavarësisht kursit aktual të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

”Shtetet e Bashkuara presin që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi dhe të shpenzojë më shumë për mbrojtjen”, tha Rutte në një intervistë.

“Jam absolutisht i bindur se SHBA-ja është plotësisht e angazhuar në NATO. Nuk ka asnjë dyshim. Kishte një pritshmëri të madhe: që ne të shpenzojmë më shumë, që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi”, tha Rutte.

Megjithatë, sipas tij, ”bëhet fjalë për ta bërë këtë së bashku me SHBA-në”.

Ish-kryeministri holandez iu referua samitit të NATO-s në qershor në Hagë, ku të gjithë aleatët ranë dakord të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035.

“Mendoj se kjo mbetet një nga fitoret më të mëdha të politikës së jashtme të presidentit Trump: 5%-shi, angazhimi i qartë për të prodhuar dhe investuar më shumë”, shtoi Rutte.

Manfred Weber, kreu i Partisë Popullore Evropiane (PPE), grupimi më i madh në Parlamentin Evropian, ka bërë thirrje që BE-ja të evoluojë drejt një “NATO-je evropiane”, duke argumentuar se SHBA-ja nuk mund të mbështetet më pa kufizime.

Ndërsa e vlerësoi Weberin, sekretari Rutte tha se ka një këndvështrim tjetër.

“Të mos harrojmë se kur flasim për Evropën dhe NATO-n, ka më shumë se vetëm BE-në”, theksoi ai.

Duke njohur rëndësinë e BE-së, Rutte vuri në dukje se 23 vendet anëtare të BE-së brenda NATO-s përbëjnë vetëm rreth një të katërtën e prodhimit të përgjithshëm ekonomik të aleancës.

“75% janë ende jashtë BE-së”, tha ai, duke iu referuar vendeve anëtare të NATO-s si Britania e Madhe, Norvegjia, Kanadaja dhe SHBA.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More