Berisha: Vendimi i Kushtetueses për masën e sigurisë, i motivuar nga urdhra politikë

nga D. V.

 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot pasi Gjykata Kushtetuese e cilësoi masën e arrestit në shtëpi ndaj tij si të tejzgjatur.

Berisha e cilësoi vendimin si politik dhe të motivuar nga urdhra, pasi, sipas tij, duket sikur ka bërë drejtësi, por në të vërtetë është treguar një seksion politik i partisë së krimit. Ai argumentoi se Kushtetuesja me këtë vendim i hap rrugë mbështetjes për Belinda Ballukun e ministrave të tjerë, të cilët mund të dënohen për korrupsion.

“Në pamje të parë duket sikur kanë bërë drejtësi, në të vërtetë janë treguar një seksion politik i partisë së krimit, ashtu siç janë. Një vendim, i cili ka edhe sot pasojat e tij tek individi ndaj të cilit është marrë një masë antikushtetuese. Pengje të turpshme që japin vendime të tilla. Vendime krejtësisht mbi baza ideologjike”, tha Berisha.

Sipas tij, Gjykatës Kushtetuese iu deshën 8 muaj për të marrë një vendim, në një kohë që kërkesat e ministrave shqyrtohen për dy javë. Berisha tha se Gjykata Kushtetuese është organizatë e partisë së krimit, pasi opozita për të është armike.

Kreu i PD-së shtoi se ndaj tij nuk ekzistojnë prova të reja dhe se emri i tij nuk përmendet në asnjë nga dokumentet e paraqitura nga SPAK.

“Masa e detyrimit të paraqitjes dhe mosdaljes jashtë vendit ishin ekzekutuar në abuzim të plotë të ligjit nga SPAK-u sepse nuk kishin marrë formë të prerë dhe SPAK i aplikoi ato pa marrë formën e prerë. Asnjë fjalë për këtë rast sepse kjo gjykatë nuk ka lidhje me ligjin, por me urdhra”, u shpreh Berisha.

Berisha shtoi se Gjykatës iu deshën tetë muaj për shqyrtimin e kërkesës ndërkohë që afati ligjor është 3 muaj.

Sipas Berishës, Gjykatën Kushtetuese nuk e ka shqetësuar fare këtë fakt, pasi për të, siç u shpreh ai, “opozita është armike dhe kjo Gjykatë Kushtetuese si organizatë e partisë së krimit nuk ka lidhje me shtetin e të drejtës, as me liritë politike të individit”.

Berisha ngriti pyetjen nëse ka “kuptim që vendimi shpallet jokushtetues, por nuk shfuqizohet”.

“E kanë shpallur jokushtetues vendimin e Irena Gjokës, por nuk e shfuqizojnë. Shiko çfarë sharlatanësh. Nuk e shfuqizojnë me pretendimin se nuk ekziston, por ai vendim ka prodhuar pasoja dhe pasojat e tij ekzistojnë”, tha Berisha.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More