Kina do të vazhdojë të përparojë hapjen në nivel të lartë, duke u pozicionuar jo vetëm si një “fabrikë botërore”, por edhe si një “treg botëror”, thanë zyrtarë të lartë në një konferencë për shtyp të mbajtur nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit në Pekin më 26 janar 2026.
Në konferencën informative, zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë përshkruan performancën e saj tregtare dhe drejtimin e politikave për vitin 2025, duke vënë në dukje se tregu i gjerë vendas i vendit, do të ofrojë mundësi më të gjera për mallra dhe shërbime globale, ndërsa zhvillimi i saj me cilësi të lartë, do të vazhdojë të injektojë vrull në ekonominë botërore.
Në vitin 2025, konsumi kontribuoi 52% në rritjen ekonomike të Kinës, pesë pikë përqindjeje më shumë se një vit më parë. I mbështetur nga politika të tilla si programet e zgjeruara të tregtisë për mallrat e konsumit, shitjet e artikujve kryesorë, duke përfshirë automobilat, pajisjet shtëpiake dhe telefonat celularë, arritën në 2.61 trilionë juanë. Shitjet me pakicë të shërbimeve u rritën me 5.5% gjatë vitit.
Tregtia e jashtme tregoi qëndrueshmëri të fortë, me importet dhe eksportet totale të mallrave që arritën një rekord prej 45.47 trilion juanësh, duke u rritur me 3.8% nga viti në vit. Vitaliteti i ndërmarrjeve private vazhdoi të forcohej, me pjesën e tyre që u rrit në 57.3%. Investimet dypalëshe gjithashtu panë përmirësim të cilësisë dhe efikasitetit, pasi u krijuan më shumë se 70.000 ndërmarrje të reja me investime të huaja, duke u rritur me 19.1%, ndërsa industritë e teknologjisë së lartë përbënin 32.3% të investimeve totale të huaja. Investimet direkte jo-financiare të Kinës arritën në 1 trilion juanë, me bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar të nismës “Një brez, një rrugë” që shënoi përparim të qëndrueshëm.

Wang Zhihua, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Tregtisë së Jashtme në Ministrinë e Tregtisë, tha se Kina do të përqendrohet në promovimin e inovacionit tregtar dhe zhvillimit të ekuilibruar në vitin 2026. Prioritetet kryesore përfshijnë përshpejtimin e zhvillimit të tregtisë së shërbimeve, përmirësimin e sistemit të menaxhimit të listës negative për tregtinë ndërkufitare të shërbimeve dhe përparimin e vazhdueshëm të hapjes në sektorin e shërbimeve.
Wang Ya, një zyrtar në Departamentin e Administrimit të Investimeve të Huaja në Ministrinë e Tregtisë, tha se këtë vit do të bëhen përpjekje të mëtejshme për të zgjeruar aksesin në treg, me fokus në sektorin e shërbimeve. Kina do të përparojë vazhdimisht hapjen në fusha të tilla si telekomunikacioni, kujdesi shëndetësor dhe arsimi, do të shtyjë përpara zbatimin e hershëm të programeve pilot dhe do të mbështesë ndërmarrjet e shërbimeve me investime të huaja në zgjerimin e zinxhirëve të vlerës dhe avancimin e zhvillimit profesional, të integruar dhe digjital.