Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha sot se ndryshimet e mazhorancës në Kodin Penal për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias, do të jenë një kërcënim për gazetarët.
Gjatë një prononcimi për mediet, Tabaku tha se PD kërkoi shfuqizimin e neneve 119 dhe 120 që kanë të bëjnë me fyerjen dhe shpifjen, por mazhoranca vendosi që nenin 119 të mos e prekë dhe nenin 120 ta prekë pjesërisht
“Ne propozuam një draft të Kodit Penal i cili kishte shfuqizimin e plotë të nenit 119 dhe 120 që janë specifikisht për neni për fyerjen dhe neni për shpifjen, jo vetëm për gazetarët, por për të gjithë qytetarët si një masë për të treguar se fjala e lirë nuk kërcënohet më burg, fjalës së lirë nuk mund t’i vësh pranga. Sigurisht që ka masa në kodin civil, ashtu siç e kanë të gjitha vendet e tjera jo vetëm të rajonit, por edhe vende evropiane, nëse ekziston fyerja dhe shpifja”, u shpreh Tabaku.
“Qeveria shqiptare shkoi për një draft tjetër, vendosi që nenin 119 mos ta prekë dhe nenin 120 të prekë pjesërisht dhe të përcaktojë grupin e individëve që do të jenë jashtë veprave t Kodit Penal jashtë kërcënimit me burg, të gjithë ato gazetarë që janë vetërregulluar në organizata në QKB të njohura si të tilla. Për momentin në Shqipëri ka 0 të tilla që do të thotë se Kodi Penal do të përdoret si kërcënim ndaj gazetarëve për të seleksionuar ata gazetarë që do t’i kërcënojë me burg dhe të tjerë do t’i lejojë që të vazhdojnë të shpifin, të fyejnë, të intimidojnë”, tha ajo.
Tabaku tha se “kjo nuk është Shqipëria evropiane, e kanë vendet e rajonit komplet të dekriminalizuar shpifjen. Për mos të thënë se Shqipëria në fushën e medies ka përkeqësimin më të madh në raport me të gjithë treguesit. Sot ne duhet të marrim një vendim të qartë për t’iu bashkuar standardeve evropiane, apo do ta përdorim median si formë presioni”.
“Megjithëse bëmë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës dhe në konsultim me Komisionin Evropian, përsëri mazhoranca do ta refuzojë. Procesi i integrimit nuk është vetëm një proces në letër, por është një proces për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe në këtë rast edhe për median”, u shpreh ajo.
Sipas Tabakut, propozimet e PD-së “ishin nisja e një rruge të gjatë për t’i dhënë zgjidhje problemeve që ka media, duke nisur me dekriminalizimin, duke vazhduar me paditë publike për shpifje ndaj gazetarëve, duke vijuar me mbështetjen sa i përket sigurimeve shoqërore e shëndetësore për gazetarët”.