Demo: Brenda shkurtit nisin trajnimet në Akademinë e Pushtetit Vendor

nga D. V.

Akademia e Pushtetit Vendor është instrument që do të vihet në dispozicion të bashkive për të siguruar shërbime më të mira në territor.

Gjatë një konference për shtyp, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo u ndal te sfidat që dalin para pushtetit vendor gjatë vitit 2026, ndërsa sqaroi edhe funksionet e Akademisë.

Sipas tij, gjatë vitit 2026 priten shumë nisma transformuese për sa i përket të ardhmes së së bashkive. “Ky është një vit ku procesi i reformës territoriale ka filluar dhe është kapaku që do të përfshijë të gjitha ato nisma për të garantuar një shtrat të shëndetshëm të zhvillimit të bashkive në dekadat që do të kemi përpara”, tha Demo.

Fuqizimi i bashkive, sipas tij, mbetet fjala kyçe që në vetvete përfshin si rritjen e kapaciteteve edhe fuqizimin institucional të bashkive me nisma konkrete si Akademia e Pushtetit Vendor.

“Ky është një moment historik për bashkitë në vend pasi është hera e parë që bashkitë do të kenë një strukturë të fokusuar në nevojat specifike të tyre. Bashkitë do të financojnë 50% të kostove të Akademisë dhe 50% financohen nga qeveria qendrore”, tha Demo.

Sipas tij, Akademia do të jetë një platformë ku bashkitë ndajnë me njëra-tjetrën praktikat më të mira që ato kanë konsoliduar në territor.

“Ndarja e eksperiencës dhe krijimi i një platforme të qëndrueshme për sa i përket modeleve më të mira që bashkitë mund të ndajnë me njëra- tjetrën e bëjnë Akademinë një instrument shumë të fuqishëm për pushtetin vendor”, tha Demo.

Akademia, sipas tij, “do të kthehet në një hallkë ku të gjithë partnerët dhe donatorët do të mbështesin pushtetin vendor”. “Brenda dhjetëditëshit të parë të muajit shkurt fillojnë trajnimet e para përmes Akademisë. Struktura është duke u ngritur. Jam i bindur se do të jetë instrument që bashkitë do ta kenë në krahë që të kemi shërbime më të mira në territor”, tha Demo.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More