“Diplomacia në shërbim të ‘Shqipërisë Evropiane 2030’” ishte aktiviteti i organizuar sot nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, një takim që vuri në qendër misionin udhëheqës të diplomacisë shqiptare në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Diskutimet u përqendruan në ecurinë e tanishme të kuadrit negociues, përgatitjen për anëtarësim dhe rolin vendimtar të shërbimit të jashtëm, veçanërisht të rrjetit të përfaqësive diplomatike tona në vendet anëtare të BE-së e më gjerë në këtë proces historik.
Po ashtu, gjatë këtij aktiviteti u theksua gjithashtu komunikimi strategjik që MEPJ ka ndërmarrë për të afruar edhe më shumë qytetarët shqiptarë dhe ata evropianë me procesin e anëtarësimit, përmes informimit transparent, të qartë dhe në kohë.
“Ky është një angazhim i gjerë, që mobilizon burimet, energjitë dhe rrjetin tonë diplomatik për të sjellë sa më pranë realitetit vlerat dhe detyrimet që shoqërojnë ‘Shqipërinë Evropiane 2030′”, thuhet në njoftimin për shtyp të MEPJ-së.
MEPJ mbetet institucioni kyç që drejton dhe koordinon procesin e integrimit, një aktor aktiv dhe efikas në ndërveprimin me vendet anëtare dhe institucionet e BE-së, si edhe një qendër bashkërendimi me të gjitha strukturat përgjegjëse të administratës shtetërore.