Bledar Doçi, vëllai i Elvis Doçit të njohur si “Visi i Pojës”, është arrestuar pak ditë më parë në Turqi për llogari të drejtësisë italiane. Burime për Syri bëjnë me dije se ai akuzohet për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sipas hetimeve, Bledar Doçi dyshohet si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga “Visi i Pojës”, për të cilin autoritetet italiane, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme (SPAK), kanë lëshuar 24 urdhër-arreste. Prokuroria e Breshias ka dokumentuar se ky grup ka trafikuar rreth 1.3 ton kokainë gjatë periudhës 2020–2025.
Elvis Doçi, i njohur ndryshe si “Visi i Pojës”, dyshohet si një nga drejtuesit e një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës me bazë në Durrës. Sipas organit të akuzës, grupi kishte bazën operative në Shqipëri, me degëzime në Itali, dhe dyshohet se trafikonte lëndë narkotike nga Amerika e Jugut, duke shfrytëzuar rrugë tregtare me destinacion portet e mëdha të Europës Veriore.
Doçi mban nofkën “Visi i Pojës” për shkak të lidhjes familjare me Xhevdet Troplinin, dajën e tij. Ai i ka shpëtuar arrestimit gjatë operacionit të 21 majit 2025 dhe vijon të jetë në arrati. Ndërkohë, autoritetet italiane kanë vendosur edhe 22 masa sigurie ndaj anëtarëve të tjerë të organizatës.
Sipas SPAK, hetimet kanë dokumentuar 30 episode trafiku droge në Itali dhe 10 raste të tjera në Shqipëri dhe vende të ndryshme të Europës. Në kuadër të këtij hetimi janë përdorur edhe të dhëna të siguruara nga aplikacionet e komunikimit të enkriptuar SKY ECC.
Elvis Doçi vijon të jetë në kërkim që prej majit 2025, kur Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me antimafian italiane, ndërmori një operacion të gjerë kundër këtij grupi kriminal për trafikim të lëndëve narkotike në Itali dhe disa vende të Bashkimit Evropian.