Vendimi i Greqisë për t’iu përgjigjur pozitivisht ose jo ftesës së Shtëpisë së Bardhë për të marrë pjesë në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, më 19 shkurt në Uashington, mbetet ende i hapur dhe varet nga disa faktorë politikë dhe diplomatikë, raportoi media greke “eKathimerini”.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka shprehur në parim kundërshtimin ndaj pjesëmarrjes së Greqisë në këtë bord, duke argumentuar se ai është krijuar për të anashkaluar Kombet e Bashkuara dhe se funksionon jashtë kornizës së Rezolutës 2803/25 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila lidhet me aktivizimin e planit të paqes për Gazën.
Megjithatë, dilema për Athinën lidhet me faktin se takimi i 19 shkurtit do të fokusohet kryesisht në fazën e dytë të planit të paqes, tematika kryesore për të cilën është ngritur bordi.
Sipas zyrtarëve grekë, kjo mund të shërbejë si justifikim për pjesëmarrjen e vendit.
Sidoqoftë, ata theksojnë se në të kaluarën diskutime të ngjashme kanë devijuar shpesh nga axhenda fillestare.
Vendimi do të ketë kosto diplomatike për Greqinë në të dy skenarët. Një refuzim, pas ftesave të përsëritura nga Uashingtoni, mund të sjellë tensione me Shtëpinë e Bardhë.
Nga ana tjetër, një pranim i ftesës mund të mos shihet me sy të mirë nga Gjermania dhe Franca, të cilat, së bashku me Spanjën, mbajnë një qëndrim më kritik ndaj këtij procesi.
Burime të medias greke e përshkruajnë Italinë si një “barometër” në këtë çështje, për shkak të lidhjeve të ngushta të kryeministres italiane, Giorgia Meloni me presidentin amerikan Donald Trump, si dhe rolit të saj qendror brenda Bashkimit Evropian.
Italia, si vend mesdhetar që po forcon bashkëpunimin me Turqinë, ka një peshë të veçantë në vlerësimet e Athinës.
Përveç Greqisë, Shtëpia e Bardhë ka ftuar në këtë takim edhe Qipron, Gjermaninë, Francën, Spanjën, Italinë dhe Suedinë.
Brenda BE-së, vetëm Hungaria dhe Bullgaria janë përgjigjur pozitivisht që në fillim, një zhvillim që, sipas burimeve diplomatike, ka habitur zyrtarët në Bruksel.
Turqia pritet të jetë e përfaqësuar në Uashington dhe shihet si një partnere kyçe e SHBA-së në përpjekjet për të riformatuar balancat në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
Ndërkohë, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka planifikuar të marrë pjesë në një samit për inteligjencën artificiale në Indi, më 19–20 shkurt.
Zyrtarë grekë bëjnë të ditur se këto plane mund të rishikohen, nëse një vizitë në Uashington vlerësohet si më i domosdoshëm, politikisht.