Shkup, 12 shtator – Fakti që ligji për lojërat e fatit po zvarritet akoma dëshmon qartë se kjo çështje do të zgjasë akoma deri në zgjidhjen finale. Me fjalë të tjera është luajtur “ping pong” me këtë ligj duke hedhur faji andej e këndej. Herë opozita fajëson pushtetin e herë anasjelltas por megjithatë kazinot vazhdojnë të jenë të hapura e të frekuentuara nga qytetarë që janë të infektuar nga ato lojëra. Pra, pavarësisht ku qëndron faji e bllokoda çdo ditë që vonohet e zgjatet ky proces kjo bie në kurriz zë qytetarëve nevojtarë që asesi nuk u pengohet infektimi i tutjeshëm. Duke pas parasysh krizën me të cilën po përballet vendi, ku gjitha çmimet janë ngritur në piedestal shumë qytetarë në mungesë të zgjidhjeve tjera, zgjedhin të aktivizohen në vendet më destruktive të shoqërisë. Bixhozi nuk shkatërron vetëm personin që ekspozohet në këto vende denigruese, por shkatërrimi është një zinxhir që hallkat tjera dëmtohen edhe më shumë, si familja e shoqëria. Prandaj, kazinot vazhdojnë të mbesin si vendet në të cilat ata që fitojnë humbasin më shumë, për faktin se pastaj vazhdojnë të frekuentojnë vendet e njëjta, ndërkaq ata që humbin janë fitues sepse dëshpërohen dhe nuk kanë se çfarë të humbnin më shumë largohen nga këto vende famëkeqe që shkatërrojnë boshtin familjar deri në palcë, shkruan Zhurnal.
Bllokohet në procedurë parlamentare Ligji i ri për Lojërat e Fatit –
Dështon edhe një tentativë për ligj të ri për lojërat e fatit. Propozimi i fundit i dorëzuar nga deputetët e Frontit Evropian, i cili parashihte që të largohen tërësisht nga hapësirat publike bizneset e lojërave të fatit dhe të zhvendosen në hotele të profilit më të lartë, nuk kaloi, pasi Kuvendi solli konkluzion se, nuk është i pranueshëm dhe nuk mund të jepet për procedurë të mëtejme. Pavarësisht kësaj, partitë politike shqiptare fajësojnë njëra tjetrën si shkaktare e dështimit të ligjit. Blerim Bexheti nga BDI akuzoi zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti se, bashkëpunon me lobin e bizneseve të lojërave të fatit dhe për këtë arsye nuk kaloi ligji për largimin e tyre.
“Tash janë në aleancë me lobin e kazioneve, në aleancë me dëmtimin e familjeve shqiptare dhe gjithë qytetarëve që jetojnë në këtë shtet, vetëm e vetëm të mos mbyllen dhe nuk kemi asnjë arsyetim se pse, po tentojnë të manipulojnë me opinionin, gjoja se një interpretim autentik e kështu me radhë. Të gjithë qytetarët janë dëshmitarë se, kazinot dhe këto objektet që merren, bastoret, të gjitha funksionojnë siç kanë funksionuar”, ka deklaruar Blerim Bexheti nga Fronti Evropian për Shenja.
Ndërkaq, deputetja e koalicionit VLEN, Saranda Imeri Stafai, tha se, është paradoksal fakti që deputetët e Frontit Evropian edhe pse propozuesit e kësaj iniciative nuk ishin në sallë që ta mbrojnë atë.
“Tani kemi një iniciativë tjetër nga deputetët e njëjtë që përsëri kjo pikë e rendit të ditës të futet në Parlament mirëpo, edhe aty nuk mori dritë jeshile në komision. Ne përsëri, në parim jemi dhe do ta përkrahim këtë iniciativë që vjen nga çdo deputet, qoftë i Frontit Evropian qoftë i joni ose i ndonjë grupi tjetër parlamentar. Kërkojmë zgjidhje permanente për problemin që e ka kapluar shoqërinë tonë”, tha Saranda Imeri Stafai, deputete e koalicionit VLEN.
Kazino në çdo cep të qyteteve –
Në vendin tonë nuk duhet ndonjë incizim me dron apo përdorimi i navigacioneve për të gjetur kazinotë dhe këto shitoret e parave sepse janë shpeshtuar aq shumë në lokacione që mund të gjesh në çdo cep e në secilin qytetet. Ekziston një shtrirje e gjithanshme dhe në lokacione shumë delikate e të rrezikshme për shoqërinë, posaçërisht për të rinjtë. Shembull, bastet dhe kazinotë hapen në lokacione përballë shkollave të mesme dhe kjo në mënyrë direkte u imponohet të rinjve duke qenë sa më tërheqës për ata.
Pothuajse në të njëjta lokacione po vendosen edhe “shitoret e parave” dhe me këtë ata po dëshmojnë se fokus grupet e tyre janë të rinjtë, sepse ata janë edhe në fazën ku kanë nevojë për para dhe janë prepotentë që të mashtrohen më lehtë. Por, viktima të kazinove dhe fajdexhinjve legal nuk janë vetëm të rinjtë, në këto vende janë të ekspozuar edhe të rriturit e të moshuarit, dhe kjo është tregues që kemi të bëjmë me një “virus” të dukshëm të prekshëm e që në mënyre manipulative infekton qytetarët.
Ndërkaq, ligji për rregullimin e lojërave nëpër kazino dhe bastet sportive në Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar debat të vazhdueshëm pro dhe kundër. Sektori civil por edhe parti politike propozojnë ndryshime në Ligjin për lojëra të fatit që është bllokuar në Parlament. Ky projektligj parashikon që biznese të tilla duhet të jenë të paktën 500 metra larg nga shkollat. Një propozim tjetër i partisë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët, ka qenë që pikat e basteve dhe kazino të ketë vetëm nëpër hotele me 5 yje. Por, edhe përkundër këtyre propozimeve ligji vazhdon të mbetet i bllokuar në Kuvend. Prandaj, nga kjo situatë e krijuar ku shumë qytetarë janë të manipuluar lirshëm mund të konstatojmë që fati i qytetarëve po varet nga lojrat e fatit, dhe shitoret e parave që në emër të ndihmës fundosin nevojtarët. /Zhurnal.mk