Shkup, 13 shtator – Kuvendi është vendi ku kuvendohet e vendoset për të mirën e qytetarëve, por ka raste kur në këtë vend kanë ndodhur edhe sulme e rrahje, diskutime e debate pa kurrfarë interesi të qytetarëve. Prandaj, është e rendit që të vendoset në rend dite por edhe rend funksionimi në përgjithësi që të mos debatohet për asgjë, për gjëra që nuk i shërbejnë të mirës së përgjithshme. Rasti i fundit ishte debati i shterrur më për ligjin për „branitellat“, ligj kryekëput përjashtues dhe diskriminues ndaj shqiptarëve. Ligji në fakt do të ishte në rregull e i pranueshëm sikurse përbrenda tij ishin përfshirë edhe ish ushtarët e UÇK-së, veteranët e familjet e tyre, por kjo nuk ndodhi prandaj edhe dështoi ligji në fjalë, shkruan Zhurnal.
VMRO akuzoi LSDM-në se propozim ligji ishte tendencë për të nxitur tensione etnike –
Ligjin për “branitellat”, i cili ishte në rend dite të seancës së Kuvendit, e ka dorëzuar LSDM-ja përmes deputetes Slavjanka Petrovska, tha kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur për koment pas njoftimeve të koalicionit VLEN se të njëjtin ligj do ta dorëzojnë edhe për pjesëtarët e ish-UÇK-së.
“Branitellat kanë dhe do ta kenë mbështetjen time, pamëdyshje. Ky ligj është dorëzuar nga deputetja Slavjanka Petrovska, gjegjësisht nga LSDM-ja, dhe ajo që është interesante – kur u votua nevoja e rendit të ditës, LSDM e braktisi seancën. Pse e them këtë, sepse LSDM-ja nuk e dorëzon ligjin sepse u mendojnë të mirën “branitellave”, por për të krijuar një situatë të këtillë. Për të krijuar sërish tensione ndëretnike”, tha Mickoski.
Pra, e thënë edhe nga kryeministri i vendit dhe ashtu doli që propozim ligji ishte vetëm një tendencë e ligët dhe e ulët për të nxitur tensione të cilat nuk i shërbejnë askujt. Nëse nga LSDM janë aq shumë të interesuar për të rregulluar statusin e “branitellave” përse këtë nuk e bënë sa ishin në pushtet?
VLEN: BDI dhe LSDM nxitojnë të sjellin ligjin e branitellave për të shpëtuar nga korrupsioni politik
Koha e lojërave politike ka përfunduar! Koalicioni VLEN nuk do të qëndrojë duarkryq derisa opozita dhe aleatët e saj të heshtur përpiqen të ndezin flakën e përçarjeve ndëretnike, për të shpëtuar korrupsionin e tyre politik, shkruajnë nga koalicioni VLEN.
“Mjaft më me manipulime dhe provokime! Sponsorizuesi kryesor i ligjit të mbrojtësve është BDI, ndërsa moralisti i rremë Blerim Bexheti, i cili së bashku me Danella Arsovska dhe LEVICËN sollën Andon Lazov Janev Qoseto në Shkup, duhet ta pyesin Talat Xhaferin, i cili me rregulloren e re mundësoi që të provokohen situata të tilla. PGjithashtu, le ta pyesë edhe Artan Grubin, si u bë që me 30 mijë euro i dëmshpërbleu katër branitella! Ligji hyri në procedurë sepse sipas rregullores së re, nuk ka mundësi që të mos vihet në rend të ditës një ligj i propozuar nga një deputet, Qeveria ose kushdo që ka të drejtë të propozojë ligj.
LSDM opozitare tregoi edhe një herë se nuk e ka për qëllim të ndërtojë një të ardhme të përbashkët për qytetarët, por të hapë plagët e së kaluarës për përfitime të ulëta politike, ndërsa BDI vazhdon të luajë lojën e saj të vjetër-të re, e cila është e orientuar për të tërhequr vëmendjen nga krimet e saj, përmes akuzave dhe krijimin e tensioneve të rreme.
Si shenjë proteste ndaj kësaj strategjie të ulët dhe të papërgjegjshme, deputetët tanë nga Koalicioni VLEN e braktisën seancën. Mesazhi ynë është i qartë: nuk do të lejojmë që Kuvendi të kthehet në një arenë manipulimesh dhe përçarjesh. Ligjet që kanë për qëllim të ndajnë popullin shqiptar dhe të mbajnë në jetë një sistem të korruptuar, nuk kanë vend në agjendën tonë! Ne jemi këtu për të mbrojtur të drejtën e popullit shqiptar dhe për të kërkuar një zgjidhje gjithëpërfshirëse për të gjitha plagët e së kaluarës, duke përfshirë edhe statusin e ish-luftëtarëve të UÇK! Nuk do të lejojmë që çështje të tilla të përdoren për të mbuluar dështimet dhe krimet që janë bërë ndaj popullit tonë”, shkruajnë nga VLEN.
Ligji nuk kaloi pasi u bllokua nga Komisioni përkatës në Kuvend –
Komisioni parlamentar i Punës Sociale dhe Demografisë e ka bllokuar Ligjin për “branitellat”, pasi nuk e vendosi atë në rend dite. Ligji i propozuar nga LSDM-ja, ka shkaktuar debate të shumta në opinion që në të njëjtën kohë një dëshpërim dhe shqetësim kolektiv tek populli shqiptarë. Pasi me të parashihet ndihmë financiare në vlerë deri në 82.000 euro vetëm për pjesëmarrësit maqedonas në luftë. Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti prej Uashingtonit, ku po qëndron për vizitë zyrtare, ka porositur se Ligji për “Branitellat”, i propozuar nga LSDM nuk kalon. Sipas tij, me këtë ligj po BDI, LSDM dhe E Majta, i kanë bashkuar forcat për me qëllim që të realizohen paralajmërimet për destabilizim.
Kujtojmë që, Ligji për “Branitellat” dhe familjarët e tyre në Kuvend ishte dorëzuar nga Sllavjanka Petrovska e LSDM-së. Me të, listës së përfitimeve financiare për ish forcat e sigurisë dhe familjarëve të tyre, i shtohen një nen i cili parashikon kompensim të njëhershëm financiar në bazë të shkallës së invaliditetit deri në 82.000 euro për person. Krahas “Branitellave” të vitit 2001, ligji do t’i kompensojë edhe familjarët e të vdekurve apo pjesëtarëve të vrarë të forcave maqedonase të sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024. E kjo gjë nuk kaloi sepse në këto ndryshime ishin lënë anash ish ushtarët e UÇK-së. /Zhurnal.mk