Shkup, 26 shtator – Këshilli i BE-së gjatë ditës së djeshme mori vendim për miratimin e ndihmës në kuadër të Fondit Paqësor Evropian (EFP), në vlerë prej 13 milionë eurove, që synojnë përforcimin e kapaciteteve dhe aftësive të Ushtrisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut (ARMV).
“Masa për ndihmë do t’i përforcojë kapacitetet e Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrjen e saj në operacionet dhe misionet në kuadër të politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së dhe misioneve tjera ndërkombëtare”, kumtoi Këshilli i BE-së.
Në kumtesë theksohet se ky vendim shtesë e ilustron lidhjen në rritje të BE-së me vendin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Kjo e reflekton përkushtimin e vazhdueshëm të partnerëve për avancimin e bashkëpunimit të tyre në këtë fushë politike, duke marrë parasysh harmonizimin e plotë të Maqedonisë së Veriut me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, thonë nga atje.
Fondi Paqësor Evropian është themeluar në mars të vitit 2021 për financimin e aktiviteteve në kuadër të politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së të synuara për parandalimin e konflikteve, ruajtjen e paqes dhe përforcimin e sigurisë ndërkombëtare dhe stabilitetit.
Përmes EPF-së, BE financon aktivitete të synuara për përforcimin e kapaciteteve të vendeve të treta dhe organizatave rajonale dhe ndërkombëtare të lidhura me çështje ushtarake dhe mbrojtjes.