Shkup, 12 tetor – Janë të shumtë fëmijët të cilët përdorin ushqime jo të shëndetshme e madje të shoqëruara me pije energjike derisa qëndrojnë në shkollë. Për ta vërtetuar si është gjendja në terren me këtë fenomen, Alsat ka vëzhguar nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme se çfarë konsumojnë derisa shfrytëzojnë pushimin e gjatë të shkollës.
Pasojat nga përdorimi i pijeve energjike janë të shumta dhe shqetësuese. Pediatri, Sani Bajrami nga Tetova tha se ata fëmijë të cilët i përdorin pijet energjike kanë sjellje të pakontrolluar.
“Kryesisht janë efekte negative ose dëmtime të veprimit ose të funksionimit të sistemit nervor qendror. Efektet negative konsistojnë në paraqitjen e sjelljeve jo adekuate, sjellje të nxituara ose të eksituara sepse pijet energjike janë stimuluesit kryesor të të ashtuquajturit të hormonit të stresit e cila është një nga hormonet përgjegjëse për nxitjen ose veprimet e nxituara ose veprimet e pakontrolluara të sistemit nervor qendror”, tha Sani Bajrami, pediatër.
Përveç pijeve energjike, janë të shumtë fëmijët të cilët për çdo ditë konsumojnë patatina të skuqura, hamburger, tost dhe salçiçe përplot me salca të yndyrshme. Dietologia Valbona Kadriu thotë se produktet e tilla përveç se shkaktojnë obezitet janë edhe kancerogjene.
“Një hamburger ose një produkt aq i rëndë, aq kalorik në mëngjes, i përpunuar nuk do të mund të tretet në organizëm mjaftueshëm, do t’i duhet dy deri tre orë që të tretet. Mos të flasim pastaj që gjatë përpunimit të patateve të skuqura janë yndyrëra të djegura që formojnë radikale të lira të cilat pastaj te fëmijët mund të shkaktojnë sëmundje të ndryshme siç janë obeziteti, sëmundjet kancerogjene dhe gjithçka tjetër”, u shpreh Valbona Kadriu, dietologe.
Deri tani, institucionet kompetente nuk kanë ofruar strategji e cila do të ishte zgjidhje për konsumimin e ushqimeve dhe pijeve jo të shëndetshme nëpër shkolla. Ushqimi i organizuar nga institucionet, nuk bëhet pothuajse në asnjë shkollë, përveç në atë me qëndrim ditor. Edhe në këto shkolla, dietologët kanë rezerva për ushqimin që jepet dhe që nuk mund ta kategorizojnë te ushqimet e shëndetshme.
Konsumimi i pijeve energjike që premtojnë “energji” është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Këto pije janë të njohura për përmirësimin e energjisë, rritjen e përqëndrimit dhe forces, por një kanaçe e tillë mund të sjell rrezik për shëndetin e njeriut, nëse nuk jemi të vetëdijshëm për anët e erreta të saj.
Megjithatë, edhe pse shumica e njerëzve janë të njohtuar me ndikimet negative të tyre në shëndet, ata vazhdojnë t’i konsumojnë ato, e disa të vetëdijshëm për dëmet që shkaktojnë, nuk i konsumojnë fare.
“Jam me diabet dhe tash s’mundem me i pi. Tash momentalisht janë duke i përdor shumë. Mjeku ma ka ndërpre për shkak të diabetit”, shprehet qytetari.
“Jo jo aspak. Është e dëmshme për shëndetin. Për pasojat negative, jo për shijen, shijen e kanë- më pëlqen”, theksoi qytetari.
“Shumë rrallë, një herë në javë. Pasoja ka, për zemrën”, shprehet qytetari.
“Nuk e di se cfarë përmban, përmbajten – nga cka bëhet. Sa i pi në ditë?! Kur t’më pihet, po se teproj. E di se ka edhe dëm. Për zemrën, aty edhe vet shkruan që për zemrën është e dëmshme, për të rinjtë sidomos. Unë e pi me masë, nuk e teproj, por për të rinjtë është mirë ti lënë këto”, theksoi qytetari.
Pijet energjike, mjekët: Forcë e rreme që dëmton zemrën
Konsumimi i pijeve energjike është i lidhur ngushtë me efekte negative në zemër dhe jo vetëm. Rrahjet e çrregullta të zemrës, ndjenja e nervozës, pagjumësia, dobësimi, ankthi, dhe të tjera, janë vetëm disa nga shqetsimet që mund ti shkaktojë organizmit të njeriut, si pasojë e përmbajtes së substancave stimuluese sic janë kofeina dhe taurine, alarmojnë mjekët.
“Dukuria e tyre negative është se ato ndikojnë në punën e zemrës, apo pulsin, gjejgësisht ritmin e zemres, duke përshpejtuar, duke shkaktuar aritmi të ndryshme dhe ngrtjen e presionit të gjakut me cka këto simptomatologji mund të shkaktojnë lodhje, dobësim e deri në pamjaftueshmëri të zemrës…Konsumimi i tyre i vazhdueshëm mund të shkaktojë edhe ndonjë varësi nga substancat stimulative me cka rëndojnë simptomatologjinë e sistemit kardiovaskular te cilët shpesh përfundojne edhe në fatalitet, goditje në zemer, apo goditje në tru”, u shpreh kardilogu Besir Murtezani.
Në bazë të analizave nga prodhuesit, nuk mund të konsumohen më shumë se dy kanaçe nga pijet e tilla. Mjekët rekomandojnë shmangien e pijeve energjike, ndërsa rreptësisht ndalohet konsumimi i tyre nga fëmijët dhe gratë shtatzëna.
“Rekomandimi për grupmoshat apo për cilat persona janë reptësiht të ndaluara të konsumojnë pije energjike, i përkasin moshës së fëmijeve dhe grave shtatzëna te cilët i kanë reptësisht të ndaluar për shkakt të ndikimeve negative nga substancat stumiluese që mund të shkaktojnë arritmi të ndryshme deri në fatalitet”, theksoi Murtezani.
Këshillat mjekësore janë se energjia e vërtetë vjen nga menaxhimi i mirë i një jete të shëndetshme. Ushqimet organike, perimet e frutat, ndërprejra e duhanit si dhe aktiviteti fizik, mund t’ua japin gjithë energjinë që ju duhet, pa patur nevojë për t’ju nënshtruar një energjie të dëmshme.