Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar për deklaratën e sotme të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili sipas tij po viktimizohet me çështjen McGonigal.
Basha u shopreh se faktet e provuara në gjykatën amerikane, tregojnë se Edi Rama bëri gjithçka kundër tij, i ndihmuar edhe nga Sali Berisha me riciklimin e të njëjtave akuza.
“Përrallat nga e kaluara të Sali Berishës janë justifikimi i radhës përballë dorëzimit pa kushte të fraksionit të tij tek Edi Rama, me të cilin e bashkojnë të njëjtat halle dhe interesa”, tha Basha.
Sipas tij, “Berisha është munduar vazhdimisht gjatë kësaj kohë të rishkruajë historinë, sipas nevojës dhe hallit të tij”.
“Ai që i dha votat Ramës për të amnistuar të korruptuarit dhe për të mbyllur listat, dhe në këmbim mori vulën për t’u bërë patericë e këtij pushteti të korruptuar, riciklon mashtrime të lodhura për të justifikuar dështimin e pseudo-revolucionit, që nuk ndezi kurrë. Përpjekja qesharake për t’u hedhur hi syve demokratëve, për t’i tërhequr zvarrë në zgjedhjet që ai kërkon t’ia falë në tavolinë Edi Ramës, i shtohet viktimizimi i tij përballë McGonigal”, tha ai.
“Më e çuditshmja në gjithë këtë histori është fakti se ndërkohë që unë, sipas tij paskam qenë në bashkëpunim me Ramën, Sali Berishës dhe familjes së tij i shtoheshin lejet e ndërtimit, kullat dhe pasuria”, shtoi Basha.