Berisha pas lirimit: Sot fitoi ligji, Shqipërinë do ta shpëtojmë bashkë

nga D V

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për lirimin nga masa e sigurisë “arrest shtëpie”, iu drejtua selisë së partisë, ku u prit nga një numër mbështetësish.

Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri Berisha e cilësoi këtë ditë si ditë të mirë për opozitarët, e shtoi se sot nuk fitoi ai, por fitoi ligji dhe Kushtetuta.

“Piramida me e madhe e mashtrimit në historinë e drejtësisë europiane të Pasluftës së Dytë Botërore mori sot goditjen më fatale! Sot, Shqipëria u ndriçua nga rrezet e para të rikthimit të pandalshëm të demokracisë! Sot është dita kur monstrat e demokracisë, Edi Rama dhe Xhorxh Soros dështuan përfundimisht. Dështuan në tentativën e tyre për të shkatërruar opozitën shqiptare në grushtin e shtetit që i bënë ndaj saj. Sot, ne së bashku, sakrifica e 330 ditëve, mundi i 3 viteve, triumfoi dhe u shpërblye”, tha Berisha në fjalën e tij para mbështetësve demokratë që ishin mbledhur jashtë ambienteve të selisë blu.

Ish-kryeministri Berisha prej datës 30 dhjetor të vitit të kaluar ndodhej në “arrest shtëpie”, pasi refuzoi që të zbatonte masën “detyrim paraqitje” ndaj tij, duke e konsideruar si antikushtetuese.

Sali Berisha, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike, akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Berisha tha se ai u arrestua se “mbrojti interesin kombëtar, u arrestua pikërisht se ishte antikorrupsioni i shqiptarëve”.

“Sepse provat e vetme që gjetën ishin bamirësi të vajzës sime ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe dhe pagesat që ajo kishte bërë për shërbime mjekësore për mua, të gjitha të deklaruara. U përpoqën të blejnë heshtjen e Sali Berishës, po këtu tani u bënë qesharakë me veten e tyre”, tha Berisha.

Sipas Berishës “kërkuan ta zhysin Shqipërinë në terrin e narkodiktaturës, por ne ndriçuam çdo natë në Rrugën e Shpresës”.

“Dhe nga sot, dritën e kësaj rrugë do ta përhapim, sepse Shqipëria duhet të jetë vend i shpresës dhe kombi ynë duhet të jetë kombi i shpresës dhe jo kombi i krimit dhe i narkotrafikut”, u shpreh Berisha.

Berisha shtoi se “me rikthimin e Partisë Demokratike në pushtet jemi më pranë se kurrë në misionin tonë për shpëtimin e Shqipërisë”.

Në përmbyllje të fjalimit të tij, Berisha i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzoi si, “autorin kryesor të këtij grushti shteti që iu bë opozitës shqiptare”, që të krijojë qeverinë teknike.

“Krijo qeverinë teknike, se mosbindja civile është gati në radhë”, tha Berisha.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More