Nëse qytetarët dhe institucionet e Kosovës janë mburrur për diçka jashtë vendit ka qenë organizimi dhe mbarëvajtja e proceseve zgjedhore ndër vite – pavarësisht se kush ka fituar.
Por, jo edhe këtë herë. Jo me entuziazmin e njëjtë, të paktën.
Pakënaqësitë janë rritur edhe për faktin se, për dallim prej viteve të fundit, kur zgjedhjet janë mbajtur para kohe dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pasur vetëm një muaj e pak për t’i bërë të gjitha përgatitjet, këtë herë zgjedhjet e 9 shkurtit kanë qenë të rregullta, dhe KQZ-ja i ka pasur gjashtë muaj për t’u siguruar që gjithçka do të shkonte mirë.
Rënia e serverit dhe e ueb-faqes zyrtare të KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, vonesat në numërimin e votave për kandidatët për deputetë, telashet me blerjen e kamerave dhe mostrajnimi i duhur i stafit, janë vetëm disa prej problemeve që kanë dalë gjatë rrugës, të cilat, siç thonë disa, ia kanë zbehur besueshmërinë gjithë procesit.
KQZ-ja e ka arsyetuar nisjen me vonesë të numërimit të votave, duke thënë se procesi i ri i numërimit – siç e parasheh Ligji i ri për zgjedhjet – është kompleks dhe se institucioni është duke kaluar nëpër të për herë të parë.