Shkup, 26 shkurt – Shëndeti është brenga jonë e përditshme, mbase nuk i atakon vetëm të moshuarit pasi kohëve të fundit probleme të shumta shëndetësore po shfaqen edhe tek të rinjtë. Pra, nga lindja e deri në vdekje kujdesi shëndetësor na ndjek pas me ose pa dashje. Meqë, shëndeti është pjesë e pandashme e jona ka rëndësi dhe peshë të veçantë për secilin prej nesh. Përgjegjësia institucionale duhet të jetë në nivelin e duhur për të ofruar shërbime shëndetësore më produktive, shkruan Zhurnal.
SPQ “8 Shtatori” do të rikonstruohet dhe për atë do të investohen 12 milionë euro –
SPQ “8 Shtatori” do të rikonsntruohet dhe për atë do të investohen 12 milionë euro nga projekti TAV, tha kryeministri Hristian Mickoski. Siç deklaroi Mickoski, spitali do të pajiset sipas standardeve evropiane, me aparaturën më bashkëkohore. Do të rinovohen disa salla kirurgjike, por edhe çatia.
“Tani, dikush operon, ndërkaq nga lartë rrjedhë nëse bie shi. Është pak e papërshtatshme. për fat të keq, askush këtë nuk e ka parë me dhjetëra vite prapa. Ne e pamë atë dhe falë aksionit të përbashkët të ministrit të Shëndetësisë, ministrit të Transportit, njerëzve nga TAV-i dhe drejtorit të ‘8 Shtatorit’, përfunduam gjithçka. Gjithçka është konfirmuar në mënyrë administrative, ka kaluar në Qeveri dhe marrëveshjet janë nënshkruar. Këtë javë pres që mediumet të marrin vesh më shumë hollësi. Do të kemi kushte evropiane në atë institucion shëndetësor. Disa salla kirurgjike, mendoj se janë shtatë, do të jenë konkurruese në Evropë, me aparaturën dhe standardet më bashkëkohore, e njëkohësisht do të rinovohet edhe çatia”, informoi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Rritet buxheti për institucionet e shëndetësisë –
Ministria e Shëndetësisë me buxhet historik këtë vit për investim në Klinika Universitare, Spitale, Qendra të Shëndetit Publik dhe Shtëpi të Shëndetit Publik. Buxheti i sivjetëm është mbi 10.3 miliardë denarë më i lartë se sa buxheti për dedikime të njejta në vitin 2023.
“Për herë të parë në historinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, buxheti që investohet për institucionet shëndetësore është 33.872.682.000 denarë. Sa për ilustrim, buxheti primar i vitit 2023 për institucionet shëndetësore ishte 22.991.425.000 denarë. Jemi të përkushtuar dhe të vetëdijshëm se institucionet shëndetësore kanë nevojë për përkrahjen tonë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Kujtojmë se paraprakisht u rritën rrogat për infermierët me 2.500 denarë dhe po punësohet personel mjekësorë prej 1200 personave. Përkundër faktit që tani me qeverisjen e re ka ndryshuar qasja në shëndetësi, sërish njëri nga problemet kyçe vazhdon akoma të mbetet prezent. Ikja e mjekëve jashtë vendit. Edhe pse dihet se ky trend masiv nuk mund të ndalet për gjashtë muaj as për një vit, nevojitet punë dhe angazhim gradual.
Në çfarë gjendje është shëndetësia në Maqedoninë e Veriut?
Megjithatë, jemi dëshmitarë që shpesh herë Ministria e Shëndetësisë është shndërruar në institucion i dorës së dytë, në të cilin shpesh ndryshohen ministrat. Gjë që reflekton se ky institucion ekziston sa për ta bë ndokënd ministër. Pjesë e pazareve politike, e për të larë ndonjë hatërmbetje. Kjo qasje është totalisht e gabuar dhe që prodhon gjendje katastrofale në funksionim.
Duhet qasje shumë më serioze nga organet e shtetit për Ministrinë e Shëndetësisë, dhe që investimet të drejtohen në këtë sektorë që është nevojë jetike për secilin qytetarë. Ka tashmë më shumë se një dekadë që kur është premtuar ndërtimi i një Qendre të re Klinike në Shkup, dhe kjo gjë nuk po realizohet dot. Me ministra që nuk brengosen për shëndetësinë cilësia e shërbime nuk korrigjohet asnjëherë. Mbetet të shihet në vazhdim nëse qeverisja aktuale do ta ndryshojë këtë qasje.
E në çfarë gjendje është shëndetësia në vendin tonë, tregues më i mirë ishte situata me pandeminë. Ku institucionet shëndetësore përpos që kishin mungesë të kuadrove përkatëse mjekësor, ata kishin edhe mungesë të shtretërve dhe hapësirave. Pacientët nga mungesa e sigurimit të barnave për fibrozë cistike kanë ndërruar jetë, infrastrukturë tmerruese, shërbime katastrofale. Prandaj, kur të rinjtë po vendosin ta braktisin vendin nuk po e bëjnë vetëm për mungesë të një vendi pune, por edhe si pasojë e mos sigurisë shëndetësore në këtë vend. /Zhurnal.mk