Shkup, 26 shkurt – Nga koha kur mbështetja për integrimin e vendit në BE ishte rreth 80 për qind tani ky numër ka rënë në 60 për qind, duke çuar në nivelin më të ulët të besueshmërisë ndonjëherë. Të dhënat e publikuara nga analiza e Institutit për Demokraci “Societas Civilis” tregojnë se është rritur gjithashtu edhe numri i të papërcaktuarve, apo 30 për qind, ndërsa 12 për qind e të anketuarve shprehen hapur euroskeptikë. Kjo rënie e mbështetjes vjen pikërisht si pasojë e asaj që qytetarët po adaptohen dhe mësohen të jetojnë në një shtet që nuk është anëtarë i BE-së. Pra, nga thirrjet që BE-ja është jetike për vendin po vijmë në një situatë që qytetarët po ia dalin edhe pa BE-në. E kjo me automatizëm shkon në favor të rrymave pro-ruse dhe anti-evropiane, që nuk është aspak në përputhje me realitetin dhe aspiratat e vendit tonë. Vështirë është të thuhet por kur është e vërtetë duhet të thuhet, vonesë e tepruar, kushte të njëpasnjëshme, qytetarët në këtë formë po dëshpërohen. Pritje para derës së BE-së prej mëngjesit e deri në mbrëmje, por dera nuk hapet dot. Sigurisht që duhet akoma shumë punë, por kjo duhet të bëhet bashkërisht me BE-në, shkruan Zhurnal.
Mickoski nga Uashingtoni: Maqedonia është aleate e besueshme e SHBA-së, Evropa duhet të jetë parimore në vend se me dy standarde –
Kryeministri Hristian Mickoski javën që lamë pas foli në konferencën “CPAC” në Uashington, me ç’rast e shfrytëzoi rastin ta njoftojë publikun amerikan me monumentet historike dhe kulturore të Maqedonisë, informojnë nga Qeveria.
“Qytetarët e Maqedonisë janë tradicional, i duan familjet e veta, ndoshta jemi pak, por komuniteti maqedonas në SHBA është pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë amerikane. E di se e mbështetën presidentin Tramp gjatë zgjedhjeve, ata janë konservatorë dhe e di se do të vazhdojnë ta mbështesin presidentin Tramp. Dhe atë që do të shtoja, ndërkaq është me rëndësi, është se edhe ne u zgjodhëm si pushtet i ri me shumicë të madhe para tetë muajve”, tha kryeministri Mickoski duke e sqaruar shoqërinë e Maqedonisë si multietnike me dy të tretat maqedonas, ndërsa një e treta, siç u shpreh ai, janë shqiptarë, vllehë, serbë, turq dhe të tjerë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut potencoi se mu prej fillimit të pavarësisë sonë nga ish-Federata jugosllave ne kemi dy qëllime strategjike.
“Së pari të bëhemi anëtare e barabartë e NATO-s dhe e dyta, të bëhemi anëtare e barabartë e BE-së. Ne u bëmë anëtare e NATO-s, por para kësaj e ndërruam emrin, e ndërruam valutën tonë, e ndërruam Kushtetutën tonë, e ndërruam emrin tonë, sepse dikush nga fqinjët tanë u bë anëtare e NATO-s para nesh dhe e keqpërdori veton për t’i përmbushur kërkesat bilaterale. Nëse kjo nuk është përzierje në punë të brendshme, atëherë çfarë është?”, pyeti Mickoski duke potencuar se standardet e dyfishta vazhdojnë edhe sot.
Ne, tha ai, nuk kemi mundësi të bëhemi anëtare e BE-së, sepse sërish kemi presion ta ndryshojmë Kushtetutën tonë.
“Nëse Kushtetuta nuk është çështje e brendshme e një vendi sovran, atëherë pyes veten çka është? Athua a është e drejtë kjo? Nëse dikush e kritikon fjalimin, i cili sipas mendimit tim modest ishte mjaft inspirues, duhet t’ia drejtojë gishtin vetes dhe të shohë se çfarë bën. Vlerat evropiane nuk janë bilateralizim i procesit të inkuarimit drejt Unionit”, përfundoi kryeministri Hristian Mickoski në intervistën gjatë tubimit më të madh vjetor të konservatorëve amerikanë në Uashington.
Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së ka zanafillë të hershme –
Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, është pozicionuar në drejtim të anëtarësimit në BE si veprim strategjik i domosdoshëm për zhvillim të shtetit. Pra, rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian ka filluar menjëherë pas pavarësimit, ndërsa zyrtarisht më 17 dhjetor të vitit 2005 Këshilli Evropës vendosi që Republikës së Maqedonisë, atëherë, ndërsa sot RMV-së, statusit shtet kandidat për anëtarësim në BE. Më 17 dhjetor të po këtij viti, 2023, RMV mbush plot 18 vite po me të njëjtin status vetëm shtet kandidat, pa marrë datën për fillim të negociatave.
Por, a është i nevojshëm ose i mjaftueshëm vetëm aplikimi e interesi i një shteti për t’u anëtarësuar në BE?, sigurisht që jo. Bëhet fjalë për disa kushte që duhet plotësuar secili shtet i interesuar për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Mirëpo, për çfarë kushtesh bëhet fjalë, flitet për kushte që janë vështirë për t’u plotësuar apo mungesë e seriozitet të shteteve kandidate në përgjithësi, e në veçanti të shtetit tonë?, janë çështje të diskutueshme
Kujtojmë se, pengesa më e madhe për mos marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në për Maqedoninë e Veriut është shteti Bullgar, që në mënyrë të drejtpërdrejt pengohet edhe Shqipëria. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat Bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE. Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në.
Ndryshe, zgjidhja e vetme është bazuar në planin franko-gjerman përmes të cilit Maqedonia e Veriut është e obliguar të bëjë ndryshime kushtetuese dhe të fusë bullgarët si pjesë integrale në Kushtetutën e vendit. Por, për këto ndryshime nevojiten 80 vota të deputetëve që shumica aktuale parlamentare e ka të vështirë t’i sigurojë, pasi opozita maqedonase kundërshton ashpër e opozita shqiptare ka vendosur dy kushte. Përmes këtij plani arrihet marrëveshje mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por esenciale janë ndryshimet kushtetuese që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. /Zhurnal.mk