Jep dorëheqje rreshteri i Policisë Zymer Kodra, thotë se iu prekën vlerat e idealit

nga D. V.

Rreshteri nga Lipjani Zymer Kodra i ka dhënë fund karrierës së tij në Policinë e Kosovës pas dy dekadave. Që nga viti i kaluar ai është përballur me transfere të vendit të punës brenda Kosovës, pas rastit kur atij ia patën larguar nga stacioni në Magurë fotografinë e ish Komandantit Legjendar “Adem Jashari” dhe flamurin kombëtar e shtetëror.

Pas rastit, aso kohe, ai kishte sharë në një grup të “viberit” të kolegëve duke kërkuar llogaridhënie se kush ia largoi fotografinë dhe flamujt. Kodra aso kohe fillimisht ishte suspenduar nga Policia e Kosovës për një kohë të caktuar, ndërkohë më vonë ishte përballur me ndërrim të vendeve të punës nëpër stacione të Kosovës.

Kujtojmë se rreshteri Zymer Kodra, sëbashku me babanë e tij ishin pjesë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkohë forcat serbe ia kishin vrarë vëllain.

Kodra, në dorëheqjen e tij nga Policia e Kosovës, ka sqaruar se për dy dekada kishte nderin dhe përgjegjësinë të kontribuonte në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke e kryer detyrën me integritet dhe përkushtim.

“Për mua, Policia e Kosovës ka qenë më shumë se një institucion, ka qenë një mision për të cilin jam angazhuar me të gjitha kapacitetet e mia profesionale dhe morale. Megjithatë, përgjatë shërbimit tim kam hasur në sfida të ndryshme, përfshirë edhe çështje që prekin ndjenjat dhe idealet e mia kombëtare. Përkushtimi im ndaj atdheut, flamurit dhe figurave të shenjta të historisë sonë kombëtare, si Komandanti Legjendar “Adem Jashari”, ka qenë dhe mbetet i palëkundur. Këto vlera kanë udhëhequr çdo hap timin në shërbim dhe do të vazhdojnë të jenë pjesë e identitetit tim edhe përtej detyrës zyrtare”, ka shkruar Kodra në dorëheqjen e tij.

“Nuk ishte i lehtë, sepse Policia ka qenë pjesë e jetës sime për 25 vite, por nuk mund të qëndroja aty kur pashë që vlerat për të cilat kam luftuar dhe sakrifikuar po shkelen. Që nga momenti kur në stacionin ku shërbeja u hoqën flamuri kombëtar dhe fotografia e komandantit legjendar Adem Jashari, e ndjeva se diçka thelbësore po ndryshonte. Për mua, ato nuk janë thjesht simbole, por përfaqësojnë sakrificën dhe lirinë për të cilën kemi luftuar. Ajo ngjarje më bëri të reflektoj thellësisht dhe të kuptoj se nuk mund të vazhdoja të punoja në një ambient ku këto vlera nuk respektohen”, ka thënë Kodra.

“Ky reflektim kishte filluar që nga dita kur ndodhi ai veprim i papranueshëm me simbolet tona kombëtare. E kuptova se nuk mund të vazhdoja më në një institucion ku historia dhe vlerat tona nuk gjejnë vendin e merituar. Vendimi për dorëheqje ishte krejtësisht imi dhe nuk u ndikua nga askush tjetër. Shërbimin tim në Policinë e Kosovës e vlerësoj me krenari. Kam dhënë gjithçka nga vetja për ta kryer detyrën me nder dhe përkushtim. Kam qenë pjesë e institucioneve të sigurisë që nga paslufta, duke filluar me TMK-në e më pas me Policinë. Pavarësisht sfidave dhe sakrificave, unë jam krenar për çdo vit të kaluar në shërbim të vendit tim”, ka thenë më tej Kodra.

“E di se çfarë përkushtimi dhe sakrifice kërkon të mbash atë uniformë. Por kur vlerat për të cilat ke dhënë kontribut, fillojnë të zbehen, atëherë çdo njeri ka të drejtë të marrë vendimin e tij. Unë nuk e shoh këtë si protestë, por si një akt që pasqyron bindjet e ia dhe respektin për historinë tone”, ka shtuar Kodra.

Sipas tij, Policia është institucion i të gjithë qytetarëve, por duhet të ketë parasysh se Kosova nuk është një shtet i krijuar rastësisht, pasi që sipas tij, Kosova është ndërtuar mbi sakrificën e mijëra luftëtarëve të UÇK-së dhe mbi përpjekjet e popullit për liri.

Kodra ka shtuar se shërbimi për atdheun nuk ndalet me një dorëheqje apo me mbarimin e një kapitulli të jetës, andaj kontributi për vendin jepet në forma të ndryshme. Kodra ka sqaruar se do të vazhdon të kontribuon ndër breza duke botuar libra për të ruajtur historinë kombëtare.

 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More