Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku u diskutua për zhvillimet politike në vend pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, si dhe për hapat e ardhshëm pas caktimit të datës së konstituimit të Kuvendit nga Presidentja e Republikës më 15 prill.
Sipas njoftimit për media thuhet se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, informoi anëtarët e Kryesisë për komunikimet e fundit me partitë parlamentare, me përjashtim të partive në pushtet (VV, Guxo dhe Alternativa).
“Ai theksoi se, nëse partia që ka dalë e para në zgjedhje nuk arrin ta formojë shumicën e nevojshme, PDK-ja është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj në formimin e Qeverisë së re, me Bedri Hamzën në krye të ekzekutivit”, thuhet në njoftimin për media.

“Ne kemi objektiva të qarta për zhvillimin ekonomik, rikuperimin dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë, si dhe avancimin e procesit të integrimit euroatlantik. PDK-ja ka kapacitetin dhe vizionin për ta çuar Kosovën përpara”, deklaroi Krasniqi.
Nga ana e tij, kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, ritheksoi përkushtimin e tij për të jetësuar vizionin për një Kosovë më të zhvilluar dhe më të mirë për të gjithë qytetarët e saj.
“Në përfundim të mbledhjes, Partia Demokratike e Kosovës shprehu qëndrimin se vendi duhet të ketë sa më parë institucionet e reja, në mënyrë që të adresohen çështjet kyçe për qytetarët dhe të ecet përpara në përmbushjen e prioriteteve shtetërore”, thuhet në njoftim.
“Gjatë takimit, ata kanë diskutuar në mënyrë të detajuar për përgatitjet dhe qëndrimet e partisë në lidhje me seancën konstituive të 15 prillit, duke u fokusuar në hapat e ardhshëm dhe prioritetet e grupit parlamentar”, thuhet në njoftim.