Shkup, 18 qershor – Sektori i shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut është përballur për dekada me sfida të njëpasnjëshme si mungesë investimesh të qëndrueshme, stafe të demotivuara, politizim të thellë dhe zgjidhje të përkohshme që shpesh janë më shumë “arno” sesa reforma. Në këtë situatë të ngarkuar me probleme kronike, çdo ministër i ri që vjen në krye të këtij dikasteri ngjall shpresë, por edhe pasiguri. Dhe kështu, sytë janë drejtuar tani nga ministri Azir Aliu, shkruan Zhurnal.
E fillojë nga Tetova ku do të ndalet?
Në vizitën e tij të realizuar në Spitalin Klinik të Tetovës, Aliu premtoi zgjidhje për rreth 140 punonjës të angazhuar me kontratë në vepër një kategori që ndodhet në një vakuum ligjor dhe moral prej vitesh. Ata janë aty çdo ditë, bëjnë punën e tyre si çdo të punësuar tjetër, por pa të drejta të plota, pa siguri afatgjatë dhe shpesh pa asnjë garanci që paga e radhës do të mbërrijë. Protestat që shpërthyen në fillim të qershorit ishin thjesht simptomë e një gjendjeje që nuk mund të vazhdojë më në këtë formë.
Deklaratat e ministrit se po punohet për një “transformim të sistemit” dhe se pas këtij transformimi do të ketë edhe punësime të reja, janë padyshim hapa në drejtimin e duhur. Por pyetja thelbësore mbetet është se a ka kohë reale një ministër në një mandat të vetëm për të sjellë ndryshim thelbësor në një sistem që është bllokuar nga paaftësia dhe klientelizmi prej më shumë se dy dekadash?
Përfaqësuesit e personelit shëndetësor në Tetovë, përfshirë teknikët, administratën dhe personelin mjekësor, treguan njëfarë besimi në premtimin e dhënë, por edhe një skepticizëm të natyrshëm. Sepse nuk është hera e parë që u thuhet “do të rregullohet statusi juaj”. Dhe shumë prej tyre ende nuk kanë marrë pagën për muajin maj, ndonëse janë premtuar zgjidhje “të shpejta”.
Në këtë drejtim, ministri Aliu gjendet përballë një sfide delikate si të përmbushë pritshmëritë e një trupe punonjësish që janë në prag të lodhjes dhe zhgënjimit të plotë, pa rënë në kurthin e premtimeve që nuk mund të mbahen. Ai duket se po e kupton që nuk mjafton të premtosh duhet të veprosh dhe të prodhosh rezultate konkrete e sidomos në një kohë kur zgjedhjet lokale janë pranë dhe çdo veprim do të vlerësohet me lupë politike dhe morale.
Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet se fakti që një ministër po përballet me problemin në terren, po komunikon me stafin dhe po e emëron problemin me emër, është një qasje ndryshe nga ministrat paraprakë që shpesh ishin më shumë figura formale sesa faktorë ndryshimi. Ka një lloj optimizmi të matur që Aliu mund të lëviz disa gurë që kanë qëndruar të palëvizur për vite.
Por, shëndetësia nuk reformohet me vizita simbolike dhe premtime afatshkurtra ajo ka nevojë për strategji afatgjatë, investim të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha depolitizim të sistemit. Sepse përndryshe, çdo përpjekje do të mbetet vetëm “faza e parë e transformimit”, pa pasuar asnjëherë nga një fazë e dytë.
Nëse Azir Aliu dëshiron të lërë gjurmë reale në këtë sektor, ai duhet të bëjë më shumë sesa menaxhim të krizave momentale. Duhet të ndërtojë besim, të nisë reforma të guximshme dhe të sigurojë që ky mandat të mos jetë vetëm një mundësi e radhës për të udhëhequr një institucion, por fillimi i një epoke të re për shëndetësinë publike. /Zhurnal.mk