A i dedikohet Artan Grubit deklarata e Mickovskit për kazinot, apo një rrethi më të gjerë në BDI-në opozitare?

nga I Z

Shkup, 1 korrik – Kryeministri Hristijan Mickoski tha se Qeveria po përgatit zgjidhje ligjore për Lojërat e Fatit. Por edhe më e rëndësishme është pjesa e deklaratës së Mickoskit, ku thotë se zgjidhja ligjore përfshin edhe përgjegjësi për vendimet e qeverisë së kaluar për këtë çështje.

“Përgatisim edhe këtu zgjidhje ligjore, zgjidhje ligjore që nënkupton fillimisht rishikim të të gjithë asaj që e ka dhënë qeveria e kaluar, respektivisht të gjithë ata leje që janë dhënë”, u shpreh Mickoski.
Kush duhet të frikësohet nga kjo deklaratë e Mickovskit? Ose të shprehemi më but: Kush duhet të shqetësohet nga kjo deklaratë? Kazinot kanë qenë një temë e rëndësishme në opinion gjatë fushatës parazgjedhore, por edhe më herët, para se të fillon fushata. Në katër vitet e qeverisë së kaluar, biznesi i kazinove mori një hov të madh dhe të paparë më herët në vendin tonë, ku përmendeshin shifra dhjetëra e qindra milionëshe, në euro, e jo në denarë. Në këtë mënyrë qeveria e kaluar ndoshta nuk realizoi shumë premtime që kishte bërë, por realizoi “projekte” në biznesin e kazinove edhe pse nuk ishin premtuar. Tani parashtrohet pyetja: Athua ka ardhur koha të jepet llogari për “investimet” e bërë në këtë biznes? Kryeminsitri i sapozgjedhur, Mickovski, është kategorik në këtë drejtim, shkruan Zhurnal.

“…ne jemi thellësisht të bindur se këtu ligjet janë thyer dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi”, është shprehur Mickovski, në deklaratën e tij që me siguri ka shqetësuar qarqe të caktuara në radhët e opozitës aktuale, që deri dje ishte në pushtet.

Sinonim i biznesit të kazinove, së paku në bazë të akuzave të opozitës, u bënë ish zëvendës kryeministri i parë, Artan Grubi dhe njeriu i tij i afërt, Përparim Bajrami. Mirëpo “arritjet” e mëdha që u shënuan në këtë biznes, ata nuk do t’i realizonin të vetëm, pa ndihmën edhe të një rrethi më të gjerë partiak. Kështu që do të ishte e paparamendueshme që nëse fillon të “gërryhen” parregullsitë në këtë degë “industriale”, se gjërat do të fillonin te Grubi e do të përfundonin te Bajrami.

Këtë në një farë mënyre e ka paralajmëruar edhe kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, si një nga figurat kryesore në Lidhjen Demokratike të Izet Mexhitit.

Ai reagoi ashpër lidhur me me deklaratën e djeshme të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili tha se kjo Qeveri nuk është legjitime për shkak se nuk është respektuar vullneti i shqiptarëve, shkruan Zhurnal.

“Pas shumë lutjesh ndaj VMRO-DPMNE për të hyrë në pushtet dhe çka është më e keqja pa asnjë kusht, pra veç me katër ministri e bile as pa postin e kryetarit të Parlamentit, Ali Ahmeti sot e akuzoi VLEN-in se paska gabuar që paska hyrë në pushtet. Paramendo njeriu që 22 vjet ka qenë në pushtet për të mbetë në po atë pushtet luti e luti, e i gëlltiti bile edhe keksat, e kur mbeti pa pushtet tash akuzon VLEN-in se paska qenë në pushtet për 22 vite”, u shpreh Ganiu.

Ai shtoi se VLEN s’ka qenë asnjëherë në pushtet dhe fitoi votën absolute të shqiptarëve, ndërsa hyrja në qeveri ndodhi për t’i shpëtuar shqiptarët që ishin buzë greminës, ndërsa BDI ua solli shqiptarëve belanë më të madhe, bixhozin.

“Ua sollët belanë më të madhe n’shpi të quajtur kumar, pra ju hapët familjeve shqiptare në secilin cep KAZINO që ju e familjet e juaja të pasuroheni. PO pra PO, ua morët bukën e gojës shumë fëmijëve duke i çu baballarët e tyre napër bastore në vend që t’ju krijoni vende pune. Thatë se bëtë investime, por investimi më madh i juaji është që dëbuat mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre për në gurbet, e fëmijët e juaj i kthyet nga gurbeti e i bëtë brenda natës milionera”, shprehet Ganiu, duke bë edhe ndërlidhjen mes paralajmërimeve për “shprehje të revoltës” që kanë dalë nga kryesia e djeshme e “integristëve” dhe biznesit të kazinove.

Poashtu edhe Kryeministri Hristijan Mickoski duke komentuar deklaratat e fundit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, tha se çdokush ka të drejtë të shpreh pakënaqësitë në mënyrë demokratike, por paralajmëroi se qeveria do të reagojë në rast se pakënaqësia shprehet duke dëmtuar karakterin unitar të shtetit.

Mickoski akuzoi BDI-në se po ndan shqiptarët si askush më parë.

“Por, nëse kjo pakënaqësi është në dëm të karakterit unitar, dhe në dëm të ligjit dhe Kushtetutës, atëherë ne si qeveri do të duhet ta mbrojmë atë, kuptohet. Unë çuditem si BDI, udhëheqësia e BDI-së, nuk mori mësim se është e nevojshme që ta shfrytëzojnë këtë periudhë në opozitë, që të reformohen, të freskojnë kuadrot, programin, dhe në zgjedhjet e ardhshme të ofrojnë kuadro dhe programe të reja.

Çuditem se si udhëheqësia e BDI-së i ndan shqiptarët, si askush më parë në të kaluarën në Maqedoni, në shqiptarë të duhur dhe jo të duhur. Këtë po e bën udhëheqësia e BDI-së që thirret në legjitimitetin e shqiptarëve”, deklaroi Mickoski./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More