Shkup, 23 dhjetor – Ky vit do të mbahet gjatë kohë në mend, sepse për herë të parë brenda këtij viti ndodhi tërmet politik. Rotacioni i partive politike nga pushteti në opozitë nuk kaloi aq qetë ashtu siç do duhej. Por, pati shumë zhurmë e tentime destabilizuese. Në kampin shqiptarë për herë të parë u bë ndërrim i pushtetit, VLEN në pushtet e BDI në opozitë. Te kampi maqedonas VMRO në pushtet e LSDM në opozitë. Ky ndërrim i partive politike në qeverisje ishte vetëm ndryshim figurash apo ndryshim në funksionim që preket e shihet? Përgjigjen e kësaj pyetje më së miri e japin qytetarët e këtij vendi, shkruan Zhurnal.
Sa janë të kënaqur qytetarët nga Qeveria e re?
Qeveria e re e Maqedonisë e udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, vendimet e marra në lidhje me kredinë nga Hungaria dhe për ngrirjen e çmimeve për “shportën e Vitit të Ri” kryesisht kanë mbështetjen e qytetarëve të Maqedonisë. Qytetarët vlerësuan pozitivisht Qeverinë dhe Kryeministrin për punën e tyre në pesë muajt e parë.
Kjo është pjesë e rezultateve të anketës së opinionit publik të realizuar për MKD.mk nga agjencia Market Vision nga 6 deri më 15 dhjetor në mesin e 1200 të anketuarve.
Ky hulumtim tregon se ka pak dallim në qëndrimin e qytetarëve në lidhje me drejtimin në të cilin po ecën vendi – 35,6 për qind e të anketuarve mendojnë se ky drejtim është i duhur, ndërsa 34,3 për qind i gabuar.
Ndryshe, qytetarët e Maqedonisë, sipas këtij hulumtimi, janë të kënaqur me punën e Qeverisë në pesë muajt e fundit – gjithsej 38,9 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se janë të kënaqur ose shumë të kënaqur, 24,4 për qind janë neutralë, ndërsa 31,2 për qind u përgjigjën se nuk janë të kënaqur ose nuk janë fare të kënaqur.
Vlerësim pozitiv qytetarët kanë edhe për punën e kryeministrit Hristijan Mickoski – 40,3 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se janë të kënaqur ose shumë të kënaqur me punën e tij të përgjithshme.
Edhe për masat e ndërmarra nga kjo qeveri, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me ndarjen e mjeteve nga kredia nga Hungaria, qytetarët kryesisht kanë qëndrim pozitiv.
Cilat janë punët konkrete të Qeverisë së re?
Kanë kaluar gjashtë muaj dhe nuk ka asnjë aferë korruptive për funksionarët e kësaj qeverie. Investim në komuna 20 milionë euro, edhe atë Komuna e Likovës ka fituar grant prej 900 mijë eurove, 34 milionë euro për kampusin universitar Nënë Tereza, sigurimi i gjashtë autobusëve ekologjik në qytetin e Shkupit.
Sigurimi i 20 milionë eurove për parkingjet në Çair, rritja e pensioneve për 2500 denarë, rritje tjetër në mars për pensionistët, rritja e paga të mësimdhënësve, profesorëve dhe administratorëve, fillimi i ndërtimit të shkollës së mesme në Kumanovë, ndërtimi i shkollës fillore në Çashkë.
Këto parashihen të jenë disa nga shumë projekte të tjera si punë konkrete dhe hapa të shpejt të cilat i ka ndërmarrë kjo qeveri në gjashtëmujorin e parë të udhëheqjes me institucionet e këtij vendi.
Sfida e radhës për RMV-në mbetet anëtarësimi i plotë në BE –
Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, është pozicionuar në drejtim të anëtarësimit në BE si veprim strategjik i domosdoshëm për zhvillim të shtetit.
Pra, rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian ka filluar menjëherë pas pavarësimit, ndërsa zyrtarisht më 17 dhjetor të vitit 2005 Këshilli Evropës vendosi që Republikës së Maqedonisë, atëherë, ndërsa sot RMV-së, statusit shtet kandidat për anëtarësim në BE. Më 17 dhjetor të po këtij viti, 2023, RMV mbush plot 18 vite po me të njëjtin status vetëm shtet kandidat, pa marrë datën për fillim të negociatave.
Por, a është i nevojshëm ose i mjaftueshëm vetëm aplikimi e interesi i një shteti për t’u anëtarësuar në BE?, sigurisht që jo. Bëhet fjalë për disa kushte që duhet plotësuar secili shtet i interesuar për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Mirëpo, për çfarë kushtesh bëhet fjalë, flitet për kushte që janë vështirë për t’u plotësuar apo mungesë e seriozitet të shteteve kandidate në përgjithësi, e në veçanti të shtetit tonë?, janë çështje të diskutueshme
Kujtojmë se, pengesa më e madhe për mos marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në për Maqedoninë e Veriut është shteti Bullgar, që në mënyrë të drejtpërdrejt pengohet edhe Shqipëria. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat Bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.
Ndryshe, zgjidhja e vetme është bazuar në planin franko-gjerman përmes të cilit Maqedonia e Veriut është e obliguar të bëjë ndryshime kushtetuese dhe të fusë bullgarët si pjesë integrale në Kushtetutën e vendit. Por, për këto ndryshime nevojiten 80 vota të deputetëve që shumica aktuale parlamentare e ka të vështirë t’i sigurojë, pasi opozita maqedonase kundërshton ashpër e opozita shqiptare ka vendosur dy kushte.
Përmes këtij plani arrihet marrëveshje mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por esenciale janë ndryshimet kushtetuese që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. /Zhurnal.mk