Shkup, 21 qershor – Ambasadorja SHBA-së në vend, Angela Aggeler e mirëpret njoftimin e liderit të OBRM-PDUKM-së dhe mandatarit të qeverisë së ardhshme, Hristijan Mickoski, se do të përdorë emrin kushtetues të shtetit gjatë betimit si kryeministër i ardhshëm dhe në paraqitjet e tij jashtë vendit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në një intervistë për “360 gradë”, Aggeler shpreh shpresën se shembullin e tij do ta ndjekin të gjithë ministrat.
Aggeler pret që qeveria e ardhshme t’i realizojë sa më shpejt premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore.
“Pres të shoh se si ata, dhe njësoj do të ishte për çdo qeveri që vjen në pushtet, nëse do t’i përgjigjen me veprime konkrete retorikës nga fushata dhe premtimeve të bëra. Në fund, si parti politike dhe qeveri gjykoheni nga veprimet tuaja në krahasim me premtimet parazgjedhore, të cilat, sinqerisht, mund të mbulojnë të gjithë spektrin e politikës në kohën e zgjedhjeve”, thotë Aggeler.