Ajo jeton në Rusi dhe i quajti austriakët “hiena”: Ish-ministrja e Jashtme Karin Kneissl ndez polemika të ashpra

nga D. V.

Karin Kneissl ka qenë ministre e Jashtme e Austrisë nga dhjetori 2017 deri në qershor 2019.

Ajo u propozua në këtë post nga partia e ekstremit të djathtë FPÖ.

Pasi humbi postin, Kneissl kaloi një kohë në Francë e Liban, pastaj u shpërngul në Rusi dhe ndërkohë thotë se ndihet e tradhtuar nga Austria.

Së fundmi ajo u shfaq në një kanal në YouTube ku dha një intervistë.

“Nuk është rastësi që Hitleri erdhi nga Austria“, thotë ajo me mllef dhe shtoi: “Në Francë njerëzit ishin humanë, në Austri hiena“.

Videoja u publikua në një kanal në YouTube të quajtur “Brücke nach Osten“ (Ura drejt Lindjes).

Klipi, sipas mediave austriake, është parë mbi 40 mijë herë deri më tani.

Intervista u drejtua nga Marina Zakamskaja, e cila sipas mediumit të pavarur rus “iStories“, të paktën më parë ka punuar indirekt për RT – ish-Russia Today.

Karin Kneissl qe bërë e njohur në opinionin e gjerë botëror kur gjatë dasmës së saj u ul në gjunjë para Vlladimir Putinit.

Lideri rus ishte mysafir special kur Kneissl u martua më 2018.

Martesa e saj mori fund shpejt.

Kneissl drejton në Universitetin e Shën Petersburgut një qendër kërkimore (think-tank) të quajtur G.O.R.K.I. – “Observatori Gjeopolitik për Çështjet Kryesore të Rusisë“.

Kneissl është mysafire e rregullt në televizionin shtetëror rus.

Në Vjenë, fjalët e ish-ministres u pritën me indinjatë dhe u hodhën poshtë.

Veçanërisht ashpër reaguan partia konservatore ÖVP ose ajo liberale Neos. Kjo e fundit dëshiron të nisë një procedurë për heqjen e nënshtetësisë austriake të Kneissl, siç raporton gazeta “Krone”.

Ligji për nënshtetësi i Austrisë thotë se heqja është e mundur nëse kryhet “shërbim për një shtet të huaj“.

Shumë vëzhgues në Austri besojnë se ajo që bën Kneissl është shërbim ndaj Rusisë. 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More