Rruga e Kombit, në të dyja drejtimet e lëvizjes Kukës – Tuneli i Kalimashit mesditën e sotme ka një fluks normal automjetesh.
Prefekti i qarkut të Kukësit, Dritan Baji tha sot për ATSH-në se “pas aksidentit të ndodhur mëngjesin e sotëm në këtë aks qarkullimi i mjeteve është normalizuar”.
Mediet raportuan sot se për shkak të prezencës së akullit, përgjatë segmentit Milot-Kalimash u regjistruan tre aksidente rrugore.
Nga aksidentet u dëmtuan gjashtë persona, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në spitalin e Rrëshenit dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Qarku i Kukësit është përfshirë sot nga reshje shiu të dendura dhe erë të fortë duke sjellë vështirësi në orët e paradites.
Prefekti Baji i bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të përshtatin shpejtësinë, për shkak të lagështisë dhe kushteve të pafavorshme të motit.
Ditën e sotme gjithë veriu u përfshi nga reshje të dendura shiu dhe dëbore në zonat malore, ndërkohë që rrugët kombëtare janë të kalueshme.