Policia e Kosovës për rajonin e Prishtinës të martën në orët e vona, në dy lokacione dhe raste të ndara arrestoi disa persona, sekuestroi tri armë zjarri si dhe një sasi të konsiderueshme municioni.
Në rastin parë njësia policore u vu në ndjekje të një automjeti i cili provoi t’i shmangej ndalimit policor dhe pas një ndjekje prej disa minutash policia arriti që në rrugë “B” në Prishtinë, të ndaloj veturën e dyshuar si dhe dy të dyshuar, me ç’ rast iu gjetën dy armë zjarri.
Në rastin e dytë, pas informacioneve të siguruar në rrugë operative se një i dyshuar posedonte armë, policia me shpejtësi ndërmori një operacion në një lokal në rrugën “Kadri Zeka” në lagjen Kalabria në Prishtinë, me ç’ rast arriti të ndaloj të dyshuarin dhe të sekuestroj një armë zjarri.
Policia rikujton se mbajtja pa leje e armëve të zjarrit është një vepër penale dhe policia do të vazhdojë të ndërmarrë veprime të shpejta dhe rigoroze për të garantuar sigurinë e komunitetit.
“Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje publikut të raportojë çdo aktivitet të dyshimtë për të na ndihmuar në misionin tonë për të ruajtur paqen dhe sigurinë”, thuhet në njoftim.