Anulimi i tarifave-Merz mirëpret vendimin e Trumpit: NATO është ndërtuar mbi besimin e aleatëve

nga L. M

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka mirëpritur sot në Davos zotimin e presidentit amerikan Donald Trump se nuk do të përdorë forcë ushtarake për të marrë Groenlandën, duke e quajtur këtë “lajm të mire” pasi Trump hoqi dorë nga tarifat e planifikuara për në shkurt ndaj vendeve evropiane për këtë çështje.

Megjithatë, Merz paralajmëroi se Evropa duhet të ushtrojë fuqinë e vet, pasi bota po bëhet shumë më e rrezikshme.

Ai tha se Uashingtoni po “ndryshon radikalisht” politikën e jashtme, duke tronditur themelet e rendit ndërkombëtar.

“Ky botë e re e fuqive të mëdha po ndërtohet mbi fuqi, forcë dhe, kur vjen puna, mbi dhunë. Nuk është një vend i qetë”, tha Merz gjatë fjalimit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Ai u bëri thirrje vendeve evropiane të rrisin shpejt shpenzimet për mbrojtje dhe konkurrencën ekonomike për të përballuar këto ndryshime “tektonike” në rendin global.

Në të njëjtën kohë, Merz këshilloi gjermanët dhe evropianët të mos heqin dorë nga aleanca transatlantike dhe NATO-ja.

Pavarësisht gjithë frustrimit dhe zemërimit të muajve të fundit, mos u nxitoni ta cilësoni si të humbur partneritetin transatlantik. Ne evropianët, ne gjermanët, e dimë sa e çmuar është besimi mbi të cilin bazohet NATO-ja”, u shpreh Merz.

Merz foli edhe për rreziqet e një epoke të re rivaliteti midis fuqive të mëdha: “Bota ku numërohet vetëm fuqia është e rrezikshme, së pari për shtetet e vogla, pastaj për fuqitë e mesme dhe në fund edhe për të mëdhatë. Nuk e them këtë lehtë. Në shekullin e 20-të, vendi im Gjermania shkoi në këtë rrugë deri në fundin e hidhur dhe e tërhoqi botën në një humnerë të zezë”.

Për të përballuar këtë, Merz propozoi një plan me tre shtylla për Evropën; investime masive në mbrojtje, rritje e konkurrencës ekonomike dhe unitet. Ai theksoi nevojën për marrëveshje të reja tregtare globale për të forcuar ekonominë evropiane, duke u kundërvënë politikave tarifore të Trumpit.

Ambiciet tregtare të Evropës janë të qarta: duam të jemi aleanca që ofron tregje të hapura dhe mundësi tregtie” tha ai, duke shtuar se Evropa duhet të jetë kundër praktikave të padrejta të sponsorizuara nga shteti, proteksionizmit të lëndëve të para, ndalimeve teknologjike dhe tarifave arbitrare.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More