Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi arrestin me burg për presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili kishte ankimuar vendimin duke kërkuar lirimin nga qelia.
Vendimi u mor sot nga Apeli i GJKKO me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi.
Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
Në një prononcim për mediet avokati Kujtim Cakrani tha se do të vazhdojë me kërkesën për zëvendësimin e masës.
Ai ngriti akuza edhe ndaj gjyqtarëve që sipas tij nuk u ngritën në lartësinë e detyrës së tyre.
“Këta janë gjyqtarë të varur nga opinioni publik”, tha Cakrani.
“Meta nuk është thjesht një ish-president. Është kryetari i Partisë së Lirisë, është numri dy i opozitës dhe do ketë grupin parlamentar në Kuvend”, shtoi ai.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen ndaj Ilir Metës.
Sipas SPAK, Meta akuzohet “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.