Arritjet e diplomacisë në 2024 për Shqipërinë anëtare të BE-së dhe mbështetja për Kosovën

nga D V

Shqipëria shënoi një vit të mbushur me aktivitete diplomatike të rëndësishme dhe hapa të qenësishëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE) gjatë 2024-ës.

Diplomacia shqiptare ka luajtur një rol të dukshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, promovimin e interesave kombëtare dhe avancimin drejt një pozicioni të fuqishëm në skenën rajonale dhe globale.

Viti 2024 ka shënuar arritje të rëndësishme për politikën e jashtme shqiptare, duke përfshirë, jo vetëm hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, rritjen e angazhimeve në organizatat ndërkombëtare dhe forumet shumëpalëshe, mbrojtjen e interesave të shqiptarëve kudo në botë përmes modernizimit dhe efikasitetit të shërbimeve ndaj tyre, konsolidimin e imazhit të vendit si faktor stabiliteti rajonal, por dhe si ofrues i potencialeve për investime të huaja dhe shkëmbime ekonomike e tregtare.

Në funksion të një diplomacie sa më efektive dhe nevojave për zgjerimin e aktivitetit diplomatik e konsullor është rritur prania në rajon dhe shtete të tjera duke përfshirë ambasadat e reja në Kiev dhe Baku, si dhe konsullatat e hapura në Strugë dhe Ulqin, që janë hapa të rëndësishëm për të mbështetur qytetarët shqiptarë dhe për të avancuar interesat e Shqipërisë në arenën globale.

Konferencat Ndërqeveritare me BE

Një ndër arritjet më të rëndësishme për Shqipërinë gjatë vitit 2024 ishte përparimi në procesin e negociatave për anëtarësim në BE.

Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian u mbajt në Bruksel, më 19 korrik 2024 duke shënuar hapjen e negociatave.

Më 15 tetor, Shqipëria çeli zyrtarisht grup-kapitullin e “Themeloreve” duke mbajtur Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, duke përfshirë:

Kapitullin 23: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, që adreson reformat në sistemin gjyqësor, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër korrupsionit.

Kapitullin 24: Drejtësia, Liria dhe Siguria, me fokus te çështjet e sigurisë, migracionit dhe bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar.

Ky hap pasqyron përpjekjet e qëndrueshme të qeverisë shqiptare për të përmbushur reformat kyçe dhe për të ndërtuar një kornizë të qëndrueshme për sundimin e ligjit.

Shqipëria është e para ndër vendet kandidate që hapë negociatat e anëtarësimit sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit.

Grupi i parë i kapitujve mbulon reformat themelore, duke i hapur rrugën fillimit të negociatave për grupe të tjera. Progresi në këto reforma do të përcaktojë gjithashtu ritmin e përgjithshëm të negociatave.

Gjithashtu më 17 dhjetor, Shqipëria mbajti Konferencën e Tretë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, duke hapur grup-kapitullin 6, atë të Marrëdhënieve me Jashtë.

Ky grup-kapitull përmban dy kapituj: Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme dhe Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes.

Konferenca e Ambasadorëve, “Tirana Diplo 2024” u mbajt në Tiranë

Nga data 26 deri më 28 gusht, në Tiranë u mbajt Konferenca e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, një ngjarje vjetore që mblodhi ambasadorët dhe konsujt shqiptarë nga e gjithë bota.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani në këtë konferencë theksuan rëndësinë e diplomacisë ekonomike, reformat në shërbimin diplomatik dhe prioritetet për integrimin evropian.

Konferenca e Ambasadorëve u rikthye pas tetë vitesh, ku përgjatë tri ditëve të zhvillimit në Tiranë u diskutua mbi sfidat dhe mundësitë e diplomacisë shqiptare, si dhe strategjitë e Shqipërisë mbi sigurinë, gjeopolitikën e rajonit, ekonominë, turizmin, kulturën dhe prioritetin kryesor, integrimin në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, u diskutuan sfidat në politikën e jashtme, si dhe nevoja për të thelluar marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Mbështetja për Kosovën dhe stabiliteti rajonal

Shqipëria ka luajtur një rol aktiv gjatë 2024-ës në mbështetjen e Kosovës për njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Në takime të ndryshme gjatë vitit, përfaqësuesit shqiptarë kanë theksuar rëndësinë e një qasjeje të koordinuar për sigurinë rajonale dhe stabilitetin në Ballkan.

Në këtë kuadër, më 20 dhjetor u mbajt në Prishtinë edhe seanca e përbashkët plenare mes Kuvendit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës.

Në këtë seancë mbajtën fjalën e hapjes kryetarët e dy Kuvendeve, Elisa Spiropali dhe Glauk Konjufca.

Mbledhja gjithashtu u përshëndet nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani si dhe nga dy kryeministrat, Edi Rama dhe Albin Kurti.

Gjithashtu në këtë seancë mbajtën një fjalë edhe kryetarët e grupeve parlamentare.

Në fund të seancën deputetët miratuan një deklaratë të përbashkët mes dy Kuvendeve, të Shqipërisë dhe Kosovës.

Kjo mbledhje e përbashkët në Prishtinë ishte në vijim të mbledhjes së parë të 27 nëntorit të vitit 2022 në Tiranë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More