Shkup, 11 qershor – Avokati i Popullit Naser Ziberi para deputetëve prezantoi raportin vjetor të punës për vitin 2024, për shkallën e respektimit, avancimit dhe mbrojtjes të të drejtave të njeriut. Edhe pse bëri pak zhurmë në Kuvend se çfarë ka bërë e çfarë duhet të bëhet, ai më nuk merret seriozisht nga askush, shkruan “Zhurnal.mk”.
Raporti që nuk merret aspak parasysh
Avokati i Popullit ka shqyrtuar gjithsej 3148 ankesa. Ashtu si çdo vit, vërejtje të shumta kishte për të burgosurit dhe kushteve në burgje. Sistemi i burgjeve edhe më tej nuk është përmirësuar. Në shumë burgje ka mbipopullim, nuk ka mbështetje shëndetësore, mungon higjiena, ndërsa nuk realizohet me sukses as procesi i arsimimit dhe risocializimit.
“Gjysma e burgjeve nuk kanë mjek dhe personel tjetër mjekësor, e as psikiatër. Ndërsa në burgje vendosen persona përdorues të drogës të cilët shfrytëzojnë terapi me metadon e të cilën, burgu nuk është në mundësi ta sigurojë”, tha Naser Ziberi – Avokat i Popullit.
Ankesa të shumta nga qytetarët ka pasur edhe gjatë procedurave të punësimit, për të drejtat nga marrëdhënia e punës në administratën publike, ngritje e pabazë e procedurave disiplinore, por edhe për shkarkim të pabazë nga postet.
“Në një sistem ku ndër vlerat themelore të rendit kushtetues është principi për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk guxon të ketë zbrazëtirë për të njëjtat”, shtoi Naser Ziberi – Avokat i Popullit.
Mes tjerash, një pjesë e madhe e ankesave kanë qenë edhe për fatura jo reale për shërbimet e energjisë elektrike. Sipas ankesave, faturat kanë qenë me shuma paushalle për shkak mos leximit të matësve çdo muaj. Shkelje të shumta gjithashtu janë regjistruar edhe për dhënien e dokumenteve të identifikimit, veçanërisht pasaportave. Problemet më të mëdha ishin shkaktuar kur qytetarët duhej t’i ndërronin dokumentet për shkak të emrit të ri të shtetit.
Ziberi – zërin që se merr seriozisht askush!
Avokati i Popullit nuk mund vetëm me statistika të shfajësohet se është duke bërë diçka. Ai fatkeqësisht është zëri që nuk merret seriozisht nga askush sepse me vetë autoritetin e tij në të kaluarën ka lënë shumë për të dëshiruar. Edhe pse njihej si një person me histori në administratë, duke qenë ministër, deputet edhe noter, ai së fundi u bë lojë e një intrige që u mundua t’i mashtrojë të gjithë.
Në kohën kur BDI kërkonte dhe deklaronte se është koha për kryeministër shqiptar, Ziberi u vendos në lojë si kandidati i cili do të jetë kryeministri i radhës. Kërkoi gjithandej vota nëpër qytetet shqiptare dhe kur erdhi koha që të realizohej ky premtim, ai besimin e tij e tregtoi shumë lirë, nga një kandidat për kryeministër mbeti vetëm një avokat i popullit. E kur në këtë formë mashtrohen qytetarët, atëherë si do të besojë dikush se me të vërtetë po i qanë hallet e popullit, e po bën avokatinë e tyre.
Puna e avokatit nuk është vetëm të regjistrojë se çfarë halle e shkelje janë bërë ndaj qytetarëve, por denjësisht të mbrohen të drejta e tyre. Ai nuk ka mekanizëm të gjykatësit ose mekanizëm ekzekutiv, por punën më të vogël që mund ta bëjë është ta ndërgjegjësojë opinionin se po shkelen disa të drejta të qytetarëve.
Naser Ziberi kurrë nuk e ngriti zërin fuqishëm për të drejtat e qytetarëve, qoftë për energjinë elektrike, qoftë për punësime, qoftë për të burgosurit, qoftë për gjuhën shqipe apo për të drejtat e qytetarëve, por ai vetëm konstaton se diçka nuk është në rregull dhe hesht para pushtetit.
Naser Ziberi duhet çdo ditë të bëjë “zhurmë” nëpër media e gjithandej ku duhet që të mbrojë me të vërtetë të drejtat e qytetarëve. Por, autoriteti i tij prej një personi që nuk qëndroi aty për atë çka ishte votuar, vë në dyshime shumë aftësi se çfarë mund të mbrojë në interes të popullit. Prandaj, Ziberi është zëri që nuk e merr seriozisht askush, dhe nga ky raport duhet të japë llogari për vetveten e tij para së gjithash dhe pastaj për të drejtat e qytetarëve”, shkruan “Zhurnal.mk”.