Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i bëri sot thirrje Partisë Demokratike të distancohet nga aktet e dhunës në protesta.
Gjatë fjalës në Kuvend, Balla theksoi se Policia e Shtetit meriton respekt për detyrën që ka bërë për të mbrojtur institucionet.
“Thirrja ime për deputetët e PD-së është të mbështesin punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit, të distancohet nga çdo lloj forme dhune kundër institucioneve. Protestuesit e dhunshëm kishin marrë urdhra për të goditur institucionet”, tha Balla.
Balla theksoi se kushdo që ushtroi dhunë duhet të përballet me drejtësinë.
“Nuk ka parti politike që i merr në mbrojtje. Ti dhe kushdo tjetër që i ushqen ata me para për të goditur institucionet duhet të mbani përgjegjësi”, iu drejtua Balla kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.