Balluku: Park i energjisë së erës në Tropojë me mbështetjen e një prej kompanive më të mëdha amerikane

nga D. V.

Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se shumë shpejt do të nisë ndërtimi i një parku eolik në Tropojë.

Në fjalën e saj në panelin me temën: “Prioritetet ekonomike dhe projektet kyçe”, i cili u mbajt në kuadër të konferencës 3-ditore të ambasadorëve shqiptarë nëpër botë që nisi një ditë më parë në Tiranë, Balluku theksoi se ky projekt është në fazën e procedurave të autorizimit dhe financimit, i mbështetur nga një nga kompanitë më të mëdha amerikane.

“Korridori 8 nuk është vetëm një korridor hekurudhor apo rrugor. Ai është gjithashtu një korridor energjetik i Shqipërisë. Shqipëria ka arritur të 6-fishojë prodhimin e saj të energjisë së gjelbër, duke diversifikuar portofolin e prodhimit me 30% energji nga parqet fotovoltaike. Deri tani, vendi ka mbështetur prodhimin e energjisë kryesisht në hidrocentralet, por që nga viti 2019, me një strategji të qartë kombëtare, kemi arritur që të rrisim kapacitetet prodhuese duke përfshirë burime të reja energjetike, si energjia nga dielli”, theksoi Balluku.

Shqipëria, nënvizoi ajo, ka të gjitha burimet natyrore të nevojshme për të zhvilluar energjinë e rinovueshme.

“Në muajt në vazhdim, vendi po përgatitet për një nga projektet më të mëdha energjetike në Evropë, parkun e erës në zonën e Tropojës. Ky projekt është në fazën e procedurave të autorizimit dhe financimit, i mbështetur nga një nga kompanitë më të mëdha amerikane, dhe do të shtojë një komponent të ri të gjelbër në kurorën energjetike të Shqipërisë”, deklaroi Balluku.

Sipas saj, kjo është një arritje e madhe për Shqipërinë dhe një burim krenarie.

“Kur ulemi në tryezat e negociatave dhe dëgjojmë kolegët e vendeve të tjera të kalojnë vështirësitë e tyre të tranzicionit energjetik, ne mund të themi me siguri se Shqipëria po punon, jo vetëm për të bërë një kalim të gjelbër, por edhe për të diversifikuar portofolin e saj të burimeve të gjelbra të energjisë”, deklaroi Balluku.

Balluku nënvizoi gjithashtu se ky projekt është pjesë e një përpjekjeje më të madhe për të bërë Shqipërinë një model të energjisë së gjelbër, duke shtuar gjithashtu se parku eolik do të ndihmojë në zhvillimin e infrastrukturës energjetike të rajonit dhe në forcimin e lidhjeve ndërkombëtare përmes prodhimit të energjisë.

“Shqipëria është duke ecur me hapa të shpejtë drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të gjelbër. Ky projekt në Tropojë është një shembull konkret i angazhimit tonë për të ofruar burime energjetike të pastra dhe të rinovueshme, duke siguruar një ndikim pozitiv në ekonominë tonë dhe në rajon”, tha Balluku.

Parku eolik në Tropojë është një nga projektet kyçe që do të kontribuojë në qëllimin afatgjatë të Shqipërisë për të bërë energjinë e gjelbër një shtyllë të ekonomisë së saj, duke u përqendruar në zhvillimin e energjisë së ripërtërishme dhe duke ofruar mundësi të reja investimi për kompanitë ndërkombëtare.

Sipas Ballukut, Shqipëria ka një ekonomi të qëndrueshme dhe po ndërton një ekonomi konkurruese dhe të hapur për tregun ndërkombëtar.

“Në takimet e shpeshta me ambasadorët, diskutoheshin sfidat që investitorët e huaj hasnin në Shqipëri, kryesisht për shkak të mungesës së transparencës në proceset administrative. Sot, Shqipëria mund të thotë me krenari se është një nga vendet më atraktive për investimet e huaja, jo vetëm për shkak të burimeve natyrore që ka, por edhe për shkak të një kornize ligjore dhe administrative transparente, në përputhje me standardet europiane”, deklaroi Balluku.

Një dëshmi konkrete e përmirësimit të transparencës, shtoi Balluku, është prania e kompanive ndërkombëtare të mëdha franceze si Voltaia dhe Total, si dhe kompani të mëdha amerikane, të cilat kanë investuar në sektorë të ndryshëm, nga energjia dhe telekomunikacionet deri te industrinë e përpunimit.

“Projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike, të tilla si këto, jo vetëm që kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë shqiptare, por janë gjithashtu projekte rajonale të rëndësishme, që ndihmojnë në forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor. Pozita gjeografike e Shqipërisë gjithashtu e bën atë një portë hyrëse për vendet e Ballkanit në Bashkimin Europian”, deklaroi zv/kryeministrja.

Balluku bëri të ditur se në vitet e fundit në infrastrukturën rrugore u ndërtuan mbi 1 mijë kilometra rrugë, mbi 30 km tunele e më shumë se 21 km ura për të ndërlidhur Veriun me Jugun, Lindjen me Perëndimin dhe për të lidhur Shqipërinë me vendet fqinje e për të shkurtuar kohën e udhëtimit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More